14:20 / E Diele, 30 Janar 2022 / MSH

Australia me investim milionësh për mbrojtjen e koalave

Australia do të investojë 35 milionë dollarë gjatë katër viteve të ardhshme për të mbrojtur koalat.

Këtë e ka bërë të ditur sot kryeministri Scott Morrison.

“Koalat janë një nga ikonat më të dashura dhe më të njohura të Australisë, si këtu ashtu edhe në mbarë botën dhe ne duam të angazhohemi për t’i mbrojtur ato për brezat që do të vijnë,” tha ai, duke shpjeguar se fondi i veçantë do të përdoret për njohuritë mbi habitatin dhe forcimin e kërkimit mbi shëndetin e koalës.

Që nga viti 2018, rreth 30% e koalave të Australisë janë shfarosur nga zjarret, thatësira dhe prerjet e drurëve, sipas Fondacionit Australian Koala.

Veçanërisht, popullsia e koalës së Australisë pësoi humbje të rënda gjatë zjarreve katastrofike të vitit 2019, të cilat shkatërruan më shumë se 12 milionë hektarë tokë vetëm në Uellsin e Ri Jugor.

Përveç kësaj, koalat australiane janë kërcënuar kohët e fundit nga përhapja e klamidias, një sëmundje seksualisht e transmetueshme që mund të shkaktojë verbëri dhe kiste te kafshët me pasoja që variojnë nga infertiliteti deri në vdekje.

Koala është përcaktuar si “e pambrojtur” nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), i cili liston speciet e rrezikuara.

IUCN pretendon se ka midis 100,000 dhe gjysmë milioni koala në natyrë, por për Fondacionin Australian Koala janë rreth 58,000.