Australia thotë se do ta njohë shtetin palestinez

Australia do të njohë shtetin palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që mbahet në shtator, tha kryeministri i këtij shteti, Anthony Albanese, më 11 gusht.
“Zgjidhja me dy shtete është shpresa më e madhe e njerëzimit për ta ndalur ciklin e dhunës në Lindjen e Mesme dhe për t’i dhënë fund konfliktit, vuajtjeve dhe urisë në Gaza”, tha ai për gazetarët në Kanbera.
“Derisa shtetësia izraelite dhe palestineze të bëhen të përhershme, paqja mund të jetë vetëm e përkohshme. Australia do ta njohë të drejtën e popullit palestinez për një shtet të vetin. Ne do të punojmë me komunitetin ndërkombëtar që kjo e drejtë të bëhet realitet”, shtoi ai.
Ky vendim i Australisë vjen pasi disa shtete të tjera, përfshirë Francën, Britaninë dhe Kanadanë, kanë njoftuar më herët se do ta njohin një shtet palestinez, pasi Izraeli nisi një luftë në Gaza gati dy vjet më parë në përgjigje të sulmeve të kryera nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor ndaj Izraelit.
“Ka një mundësi dhe Australia do të punojë me komunitetin ndërkombëtar për ta shfrytëzuar atë”, theksoi Albanese.
Ai tha se vendimi i Australisë bazohet në siguritë e marra nga Autoriteti Palestinez se “nuk do të ketë rol për terroristët e Hamasit në asnjë shtet të ardhshëm palestinez”.
Megjithatë, Autoriteti Palestinez nuk ka prani në Gaza, që qeveriset nga Hamasi për gati dy dekada.
Disa orë para njoftimit të Albanese-s, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kritikoi thirrjet ndërkombëtare për njohjen e shtetësisë palestineze duke argumentuar se një gjë e tillë “nuk do të sjellë paqe, do të sjellë luftë”.
Shqetësimi ndërkombëtar po rritet për gjendjen e mbi 2 milionë palestinezëve në Rripin e Gazas, ku luftimet kanë shkaktuar një krizë të rëndë humanitare dhe paralajmërime për uri masive.
Albanese kritikoi Qeverinë izraelite, duke thënë se ajo vazhdon të sfidojë “të drejtën ndërkombëtare dhe të mohojë ndihmën e mjaftueshme”.
Teksa lëvizja globale për njohjen e shtetit palestinez po rritet, ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters, tha se shteti i tij po e shqyrton me kujdes mundësinë për ta njohur shteti palestinez gjatë muajit të ardhshëm. Sipas tij, njohja e shtetit palestinez është “çështje kohe, jo nëse do të ndodhë apo jo”.
Teksa vendet po paralajmërojnë për njohjen e shtetit palestinez, lufta në Gaza po vazhdon. Si pasojë e sulmeve të Hamasit, më 7 tetor 2023 në Izrael u vranë afra 1.200 persona dhe u rrëmbyen 251 të tjerë. Ndërkaq, sulmet izraelite kanë vrarë mbi 61.000 palestinez, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza./Indeksonline/