75 Mall Live Search
10:48 / E Enjte, 22 Janar 2026 / MSH1

Austri: Ish-agjenti del para gjykatës, akuzohet për spiunazh ndaj Rusisë

Një ish-zyrtar i inteligjencës austriake doli para gjykatës në Vjenë, i akuzuar për dorëzimin e pajisjeve të ndjeshme dhe shitjen e informacionit sekret, në Rusi.

Gjyqi është i fundit që rrjedh nga një çështje e gjatë që u zbulua në vitin 2024 dhe përqendrohet tek ish-agjenti, Egisto Ott, raporton AFP-ja.

63-vjeçari përballet me një sërë akuzash, përfshirë dyshime për shpërdorim detyre, korrupsion dhe spiunazh në dëm të Austrisë. Ai i ka mohuar akuzat.

Sipas aktakuzës së siguruar nga AFP-ja, nëpërmjet veprimeve të tij, Ott rrezikoi të shkaktonte “dëme serioze” në reputacionin e Austrisë, midis shërbimeve të inteligjencës miqësore.

Midis viteve 2015 dhe 2022, Ott dyshohet se ka vepruar sipas urdhrave të Jan Marsalek, një drejtues austriak i firmës gjermane të përpunimit të pagesave Wirecard, e cila kishte falimentuar, në këmbim të një pagese totale prej më shumë se 80,000 eurosh.

I arratisuri Marsalek kërkohet për akuza mashtrimi dhe dyshohet se punon për shërbimet e inteligjencës ruse (FSB).

Ott, i cili mohon të ketë bërë ndonjë shkelje, mund të përballet me deri në pesë vjet burgim nëse shpallet fajtor.