11:27 / E Premte, 12 Maj 2023 / L K

Austriakët s’e duan Kosovën në BE

Austriakët po tregohen skeptikë për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Kështu së paku thuhet në një sondazh të zhvilluar nga Shoqëria Austriake për Politika Evropiane (ÖGfE), i cili u publikua këtë të premte.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, Paul Schmidt, në një komunikatë për media, ka thënë se nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Bosnja ka shkallën më të lartë të aprovimit për anëtarësim në BE nga qytetarët austriakë.

“Bosnja dhe Hercegovina ende ka shkallën më të lartë të aprovimit për anëtarësim në BE: Sipas studimit, 29 për qind do të mirëprisnin anëtarësimin e këtij vendi, por 41 për qind do ta refuzonin. 24 deri në 21 për qind janë në favor të anëtarësimit të Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por, edhe më pak – 16 për qind – janë në favor të anëtarësimit të Kosovës”, ka thënë kjo organizatë, raporton Klankosova.tv.

Ajo që është edhe më shqetësuese në rastin e Kosovës është se shkalla e refuzimit është 53 për qind, që është më e larta nga shtetet e rajonit, e pasuar nga Mali i Zi me 44 për qind.

sondazh austri

Schmidt, siç shkruan Klankosova.tv, ka thënë po ashtu se shkalla e ulët e aprovimit të shtetasve austriakë për Ballkanin Perëndimor në BE është pak a shumë konsistente ndër vite.

Në këtë sondazh, austriakët janë shprehur skeptikë për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, e edhe në Ukrainë e Moldavi.

Po ashtu, qytetarët austriakë nuk do të mbështesnin hyrjen e Rumanisë dhe Bullgarisë në zonën Schengen.

Megjithatë, mbështetja për zgjerimin e zonës Schengen është rritur në krahasim me disa vite më parë.