Autoambulancë në emër të Gretës, Rahimaj prezanton investimin e veçantë për qytetarët e Kamenicës
Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë qytetarët, sidomos për familjarët e ish-drejtoreshës së Shëndetësisë në këtë komunë, Greta Kryeziu.
Për nder të Gretës, që ndërroi jetë në gusht të këtij viti nga një sëmundje e rëndë, është blerë dhe emëruar sipas saj një autoambulancë, shkruan IndeksOnline.
“Në marrëveshje me familjen e saj, me mjetet e mbledhura nga miku im Vehap Zuka për trajtimin e Gretës, sot është blerë një autoambulancë e re që do t’u shërbejë qytetarëve të Roganës, Hodonocit, Muçivërcit, Shipashnicës, Karaqevës dhe gjithë rrethinës” shkroi Rahimaj.
Ky është postimi i plotë i tij:
Autoambulancë në nderim të Drejtoreshës Greta
Kur Drejtoresha Greta po përballej me sfidën e jetës, njerëz të mirë e të ndjeshëm, u bashkuan për të ndihmuar me zemër.
Fatkeqësisht, ajo sfidë e mori prej nesh shumë herët… por dashuria e njerëzve për të nuk u shua.
Në marrëveshje me familjen e saj, me mjetet e mbledhura nga miku im Vehap Zuka për trajtimin e Gretës, sot është blerë një autoambulancë e re që do t’u shërbejë qytetarëve të Roganës, Hodonocit, Muçivërcit, Shipashnicës, Karaqevës dhe gjithë rrethinës.
Kjo autoambulancë do të mbajë përjetësisht emrin Greta Kryeziu — vajzës së mirë, profesionistes së përkushtuar dhe shpirtit të pastër që la gjurmë në zemrat tona.
Faleminderit nga zemra të gjithë bashkëqytetarëve, miqve dhe njerëzve të mirë që kontribuan me shpirt e dashuri për ta bërë të mundur këtë vepër humane.
Mbi të gjitha, faleminderit përzemërsisht familjes së drejtoreshës Greta, që tregoi bujari dhe korrektësi ndaj donatorëve. Z. Basri, keni nderuar familjen dhe qytetin me këtë veprim.

