75 Mall Live Search
08:31 / E Enjte, 10 Korrik 2025 / k.v

Autobusët e trafikut urban s’e respektojnë orarin e nisjes, qytetarët të revoltuar

Autobusët e trafikut urban në kryeqytet vazhdojnë të mos respektojnë oraret e caktuara të nisjes, duke shkaktuar pakënaqësi të madhe tek udhëtarët, sidomos ata që përdorin linjën 3C.

Sipas qytetarëve, ndonëse ekziston një orar i përcaktuar për nisje nga stacioni kryesor, në praktikë gjithçka varet nga vullneti i shoferëve.

“Ne e dimë që autobusi duhet të niset çdo 15 minuta, por shpesh ndodh që të niset 5 apo 6 minuta më herët dhe pastaj na duhet të presim edhe 20 minuta për tjetrin”, shprehet për IndeksOnline një udhëtar i rregullt i linjës 3C.

Rasti më i freskët, sipas tij, ka ndodhur sot (e enjte), kur autobusi që duhej të nisej në ora 08:15 nga rrethi i Matit, u nis 6 minuta më herët.

“Unë, bashkë me shumë udhëtarë të tjerë, u detyruam të presim deri në ardhjen e autobusit tjetër, që erdhi pas 20 minutash” .

Edhe një udhëtare tjetër, e cila udhëton çdo ditë me këtë linjë, thekson se kjo është papërgjegjësi e madhe.

“Nuk e di a i kontrollon dikush, por nuk është normale që autobusët të nisen kur të dojë shoferi. Kjo nuk duhet të tolerohet”.

Qytetarët kërkojnë nga Ndërmarrja e Trafikut Urban të marrë masa dhe të kërkojë përgjegjësi nga drejtuesit që nuk i përmbahen orarit zyrtar, në mënyrë që të sigurohet një shërbim korrekt dhe i besueshëm për qytetarët e Prishtinës./IndeksOnline/