75 Mall Live Search
15:09 / E Shtunë, 12 Mars 2022 / MSH

Autobusët nuk përfillin vendimin e Ministrisë për ulje të çmimeve të biletave, dëshmohet nga një student

Pavarësisht vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për uljen e çmimeve për 50 për qind për fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët, një gjë e tillë nuk ka gjetur zbatim akoma.

Një studenti, çmimi i biletës në relacionin Gjakovë-Fushë Kosovë, i ka kushtuar 5 euro.

Ai ka thënë për Indeksonline se linja me të cilën ka udhëtuar nuk e respektoi vendimin e Ministrisë.

Ndërkohë, se nuk do të përfillej ky vendim kishte paralajmëruar edhe kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj.

Ai tha dje se një vendim i tillë po rëndon punën e transportuesve rrugorë, sidomos në ditët e fundit, me luhatjet e çmimeve të naftës.

“Ne si shoqate e kundërshtojmë fuqishëm ketë vendim, si dhe si i tillë ai nuk do të gjej zbatim nga Operatoret Ekonomik. Ky vendim është plotësisht në kundërshtim me ligjin e transportit, por edhe shumë ligjeve tjera” ka thënë Kurtishaj.

Kurtishaj më herët ftoi edhe një mbledhje për ditën e nesërme, të Këshillit drejtues dhe Operatorëve të trasnportit rrugor, pikërisht lidhur me vendimin e Ministrisë.

“Të nderuar antarë të Shoqatës së transportit rrugorë të udhëtarve,me kërkesë të Operatorëve Ekonomik të Transportit Rrugor të Udhëtarve thirret mbledhja URGJENTE e këshillit drejtues dhe të gjithë Operatorët e transportit rrugor, nesër me datë 13 mars në ora 11:00 në Odën Ekonomike të Kosovës. Rendi i ditës: Diskutim rreth vendimit me nr 2016 të datës 11 .03.2022 të nxjerrë nga MPHI” ka shkruar ai në Facebook.