75 Mall Live Search
08:56 / E Premte, 13 Shkurt 2026 / OSH

Automjeti tenton të shmangte ndalimin doganor, “pati arsye”, sepse ishte i stërmbushur me mall në të zezën

Më 12.02.2026, rreth orës 12:15, në pikëkalimin kufitar Vërmicë, zyrtarët doganorë të Njësisë së Antikontrabandës në kuadër të Doganës së Kosovës, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, kanë identifikuar një automjet, i cili nuk i është bindur urdhrit për ndalim dhe është larguar nga pika e kontrollit.
Pas reagimit të menjëhershëm operacional, zyrtarët doganorë i janë vënë në ndjekje automjetit dhe kanë arritur ta ndalonin në autostradë. Automjeti, nën përcjellje zyrtare, është kthyer në PKK Vërmicë për kontroll të detajuar.
Gjatë kontrollit është konstatuar se automjeti transportonte dërgesa postare të destinuara për blerës në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Pas numërimit dhe verifikimit është konstatuar se në automjet ndodheshin:

  • 233 pako
  • 1,376 njësi mallrash të ndryshme
  • Vlerë e përgjithshme e mallit: 33,810.98 €
  • Shmangie nga detyrimet doganore: 10,075.67 €
    Malli përfshinte artikuj të ndryshëm tekstili, këpucë, produkte kozmetike, aksesorë, produkte ushqimore dhe mallra të tjera konsumi.
    Në vendngjarje kanë dalë njësitë hetimore të Doganës së Kosovës. Me urdhër të prokurorit kompetent është inicuar rast për vepër penale. I gjithë malli është sekuestruar dhe evidentuar sipas procedurave ligjore, ndërsa automjeti është konfiskuar përkohësisht dhe dërguar në hapësirat zyrtare të Doganës së Kosovës.
    Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.