Autorët e vrasjes me bombë të gazetares malteze lidhje me “nëntokën” kriminale shqiptare
Policia ka identifikuar dy vëllezër të tjerë, të cilët janë të njohur në botën e krimit maltez, si pjesë e rrjetit pas vrasjes së gazetare Daphne Caruana Galizia, sipas një raporti të “Sunday Times” të Maltës.
Raporti thotë se policia dyshon se vëllezërit kanë kryer disa krime transnacionale, përfshirë edhe kontrabandën e cigareve.
Ata gjithashtu thuhet se kanë kontakte brenda nëntokës kriminale shqiptare dhe në të vërtetë policia po heton nëse pajisja eksplozive që shkaktoi shpërthimin e bombës të vendosur në makinën e gazetares kishte origjinën nga Evropa Lindore.
Deri më tani, katër persona janë të dyshuar si pjesë e rrjetit kriminal të organizuar që vranë gazetaren Galizia. Të dyshuarit, vëllezërit George dhe Alfred Degiorgio dhe Vince Muscat, janë akuzuar për vrasje dhe ka pasur raporte se Muscat po bashkëpunon me policinë.
Dy vëllezërit e tjerë janë më të lartë në rendin kriminal dhe dyshohet se kanë blerë mjetin shpërthyes dhe materialin. Raporti gjithashtu thotë se ata mund të kenë punuar drejtpërdrejt me një “ndërmjetës”, i cili ka vepruar si bashkëpunëtor, ndërsa në krim dyshohet të jetë përfshirë një “biznesmen i madh” që gazetarja e ndjerë kishte hetuar.