20:22 / E Hënë, 20 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Autoritetet greke ndihmojnë për shtëpitë dhe bizneset e përmbytura

Greqia do të ndajë fonde për rindërtimin e menjëhershëm të shtëpive dhe bizneseve të prekura nga përmbytjet që shkatërruan vendin javën e kaluar.
“Qeveria do të paguajë 5000 euro për shtëpitë dhe 8000 euro për bizneset, ndërsa fondet shtesë do të vihen në dispozicion pas një raporti që do të bazohet në zonat për rikonstruksion”, njoftoi sot zëdhënësi i qeverisë, Dimitris Tzakanoupoulos për televizionin shtetëror “ERT”.

Sipas raporteve, përmbytjet masive nga reshjet e dendura, kanë goditur ishullin Symi dhe rajonin e Katerinit në veri dhe në perëndim të Athinës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale që përfshijnë të paktën 1000 banesa dhe 250 biznese. Përmbytjet, kryesisht nga mbeturinat dhe ndërtimet që bllokonin kalimin e ujit që zbriste nga malet në ultësirën bregdetare, kanë shkaktuar vdekjen e 20 personave dhe zhdukjen e dy të tjerëve.

Prokurorët kanë nisur hetimet në zonat e ndërtimeve të paligjshëm të cilësuara si përgjegjëse për katastrofën. Reshjet e shiut në vend janë pakësuar pas gati një jave.