Autoriteti Federal i Aviacionit Civil i Gjermanisë e përmirëson pasaktësinë për Aeroportin e Prishtinës
Autoriteti Federal i Aviacionit Civil i Gjermanisë e ka korrigjuar pasaktësinë lidhur me aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, i cili prej vitesh ishte evidentuar gabimisht si pjesë e Serbisë.
Lajmin e ka dhënë ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
“Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik, Autoriteti Federal i Aviacionit Civil i Gjermanisë (Luftfahrt-Bundesamt) ka korrigjuar pasaktësinë lidhur me ANP “Adem Jashari”, i cili prej vitesh ishte evidentuar gabimisht si pjesë e Serbisë.
Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete.
Nëse hasni ndonjë institucion apo kompani gjermane ku Republika e Kosovës apo qytetet tona nuk paraqitet në mënyrë korrekte, ju lutemi të na shkruani në embassy.germany@rks-gov.net, duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që këto pasaktësi të adresohen dhe korrigjohen.
Vazhdojmë së bashku drejt sukseseve të radhës”, shkruan Ajeti në njoftim./Indeksonline/

