75 Mall Live Search
13:45 / E Enjte, 25 Korrik 2019 / indeksADMonline

Autoritetit i Konkurrencës i kërkon Komunës së Prishtinës rishikimin e kritereve të ankandit për kiosqet

Para disa javësh, pronarët e kiosqeve kanë protestuar për të kundërshtuar ankandin për kiosqe të reja në kryeqytet.

Kjo pasi sipas tyre, kriteret e komunës janë diskriminuese dhe të papërballueshme për ta.

Për shkak të protestave, me 43 vota për, Kuvendi Komunal i Prishtinës me 5 korrik, miratoi pezullimin e procesit të dhënies në shfrytëzim të kiosqeve deri në harmonizimin e kritereve përballuese për konkurrentët.

Për ankandin e Komunës dhe gjendjen e krijuar për pronarët e kiosqeve, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka dalë me një mendim profesional, transmeton Indeksonline.

AKK i ka rekomanduar Komisionit Vlerësues të Ofertave për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme të Komunës i caktuar nga Kuvendi Komunal, që të rishikojë kushtet dhe kriteret er përcaktuara në ankand.

Autoriteti ka konstatuar se çdo kufizim ligjor apo faktik përmes kushteve dhe kritereve për operatorët të cilët janë potencial për tu angazhuar në një veprimtari në një treg të caktuar nuk është e dëshirueshme në zbatimin e politikave të Konkurrencës.

Arsyetimi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për këtë është se ka pranuar kërkesë/ ankesë, lidhur me kriteret dhe kushtet e përcaktuara në njoftimin publik të Komunës së Prishtinës.

Lidhur me kriteret kanë reaguar shfrytëzuesit aktual të kiosqeve, të cilët pretendojnë se me këtë ankand, i’u është shkelur e drejta e tyre për pjesëmarrje në ankand, për shkak të kritereve jo konkurreuese dhe favorizuese për bizneset e mëdha.

Në këtë letër të Autoritetit, thuhet se ata janë në zbatim për mbrojtjen e konkurrencës dhe angazhohet për të gjitha format e parandalimit, kufizimit ose keqpërdorimit të konkurrencës nga ndërmarrjet ekonomike  private apo publike, por edhe nga kufizimet e shkaktuara nga administrata shtetërore dhe entet rregullatorë në territorin e Kosovës.

“Neni 23 i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, e parasheh që organet e administratës qendrore dhe lokale, mund të kërkojnë vlerësimin apo mendim profesional të autoritetit dhe për çdo ligj, projektligj ose akt-normativ që prek ndjeshëm konkurrencën në treg. Për vlerësimin e projekt-akteve normative,  është e domosdoshme që hartuesit e tyre të bashkëpunojnë dhe të marrin parasysh sugjerimet dhe rekomandimet e dhëna nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës”, thuhet në këtë letër, transmeton Indeksonline.

“Një mjedis konkurrues, i mirëfilltë, jep mundësi të zgjedhjes, shërbime më të mira, cilësi, çmime konkurruese dhe produkte të reja”, theksohet mes të tjerash.

Derisa, kanë bërë të ditur se favorizimi dhe lehtësirat për ndërmarrjet e mëdha, mundësojnë që të zotërojnë fuqi tregu, derisa pengojnë të tjerat që të jenë konkurruese në treg.

Për këtë arsye, Autoriteti, ka rekomanduar Komisionin për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme në Komunën e Prishtinës, shmangien e kufizimeve të konkurrencës në treg (personave fizik dhe juridik) si dhe dhënien e mundësisë të gjitha ndërmarrjeve duke mos përjashtuar me kufizime financiare dhe domosdoshmërinë për të poseduar rrjetet e marketeve.

Ndër kriteret e përcaktuara për aplikuesit ka qenë të kenë së paku pesë markete dhe qarkullim vjetor 5 milionë euro.

Por, ata e kanë quajtur të papërballueshme dhe diskriminuese, duke i  mundësuar favorizimin për ndërmarrje të mëdha./Indeksonline/