75 Mall Live Search
12:19 / E Enjte, 12 Mars 2026 / MSH1

Autorizohet pagesa e subvencioneve të mbetura bujqësore për vitin 2025

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka nënshkruar vendimin për autorizimin e pagesës së detyrimeve të mbetura nga programi i pagesave direkte për vitin 2025.

Me këtë vendim, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) obligohet të procedojë menjëherë me ekzekutimin e pagesave për të gjithë përfituesit e verifikuar të subvencioneve bujqësore sipas listave përfundimtare të miratuara në kuadër të programit për pagesa direkte për vitin 2025.

Pagesat do të realizohen nga buxheti i miratuar i Republikës së Kosovës, në përputhje me alokimet buxhetore për sektorin e bujqësisë dhe procedurat e zbatueshme të Thesarit të Republikës së Kosovës.

Me hyrjen në fuqi të buxhetit dhe përmbushjen e kushteve të nevojshme financiare dhe procedurale, është krijuar mundësia për procedimin e pagesave të mbetura për përfituesit e programit.

Departamenti për Buxhet dhe Financa në AZHB, në bashkëpunim me Thesarin e Republikës së Kosovës, është obliguar të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për realizimin e pagesave në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e financave publike.

Sipas vendimit, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë duhet të raportojë te ministri brenda pesë (5) ditëve për progresin e realizimit të pagesave.