13:01 / E Enjte, 13 Qershor 2019 / indeksADMonline

Autostrada ‘Agim Ramadani’ parashihet që shpejtë të vazhdojë nga Bresalci për tek Dheu i Bardhë

Fokusimi i tanishëm i infrastrukturës në Kosovë është në autostradën ‘Agim Ramadani’ që lidh Prishtinën, Gjilanin dhe Dheun e Bardhë, apo saktësisht Kosovën me Luginën.

Pas hapjes së autostradës që lidh Prishtinën me Shkupin, autostrada ‘Agim Ramadani’ është në fazat e para të punimeve.

Lidhur me këtë, Indeksonline ka kontaktuar zv/ministrin e Infrastrukturës, Rexhep Kadriu.

Kadriu ka bërë të ditur se punimet në autostradën ‘Agim Ramadani’ në segmentin Banullë-Bresalc në gjatësi 22.5 km, janë duke u realizuar me intensitet të shtuar nga tetë llotet e kontraktuara.

“Sipas dinamikës që kemi në teren përqindja e realizimit të punimeve ka arritur në 35% dhe sipas kësaj dinamike shpresojmë se punët do të përfundojnë para afatit të përcaktuar”, ka thënë Kadriu.

Kostoja e kontraktuar për përfundimin e punimeve arrin vlerën e 88 milionë eurove për këto tetë llote.

“Duke marrë parasysh edhe punët shtesë që janë të parapara me ligj dhe që mund të ndodhin gjatë ndërtimit, shpresojmë se kostoja e këtij segmenti deri në fund do të sillet në vlerë të përafërt rreth 100 milionë, pa përfshirë shpronësimin sepse kjo është kompetencë e ministrisë së Ambientit”, shtoi ai.

I pyetur lidhur me procedurën e shpronësimit të banorëve në këtë anë, zv/ministri Kadriu tha se ky proces ka ecur ngadalë, por kanë filluar pagesat e pronarëve për shpronësim.

“Kanë filluar pagesat e pronarëve për shpronësimin e tikave, por akoma kemi probleme të shpronësimit për arsye të mos përputhjes së të dhënave katastrale ndërmjet komunave dhe agjensonit katastral të Kosovës. Lajm i mirë është se shumë shpejt do të hapen procedurat e tenderimit për llote tjera nga Bresalci në drejtim të Dheut të Bardhë dhe po punojmë që kjo të ndodhë sa më shpejtë, pra brenda këtij viti”, tha Kadriu.

I njëjti theksoi se pret që shpejtë të kompletohet e gjitha Autostrada ‘Prishtinë-Dheu i Bardhë’, projekt ky shumë i rëndësishëm për qytetarët e Anamoravës dhe për lidhje direkte të Luginës me Kosovën./Indeksonline/