75 Mall Live Search
14:50 / E Hënë, 30 Qershor 2025 / S Z

AUV ndalon përkohësisht importin e gjedheve dhe lëkurave nga Lombardia

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur sot ndalimin e përkohshëm të importit të gjedheve dhe nënprodukteve të tyre, përfshirë lëkurat, nga Zona e Lombardisë në Italinë Veriore, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes Gungore të Lëkurës (LSD) në këtë rajon.

AUV njofton se vendimi bazohet në Ligjin për Veterinarinë, si dhe në informacionet zyrtare të pranuara nga sistemi i raportimit ADIS dhe Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH).

Tutje AUV thekson se masa ka karakter parandalues dhe mbrojtës, me qëllim ruajtjen e shëndetit të kafshëve në Republikën e Kosovës.

Autoritetet kufitare janë të obliguara të zbatojnë këtë ndalesë, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme kontrolluese për të penguar hyrjen e kafshëve të prekura ose të rrezikuara në territorin e vendit.

“Sëmundja Gungore e Lëkurës është sëmundje virale e gjedhit me karakteristik tipike të nodulave ose gungave në  lëkure. Transmetues i kësaj sëmundje janë insektet pickuese që më  aktive janë në periudhën  e pranverës së vonshme, verës dhe vjeshtës së  hershme, sëmundja nuk prek llojet e tjera të kafshëve shtëpiake përveç gjedhit (lopë, buallica ). Kjo sëmundje nuk e prek njeriun dhe si e tillë nuk paraqet rrezik për shëndetin human. AUV ka të përgatitura kapacitete humane për reagim, pasi qe kjo sëmundje ka qen prezentë ne Kosovë për herë të parë në vitin 2016. Nga ajo kohë ne mënyrë aktive kemi mbajtur kapacitete të azhurnuara me të gjitha risit mbi format me efektive të luftimit të sëmundjes”, thut nga AUV.

Aktualisht, nuk ka rrezik të menjëhershëm për vendin tonë, por AUV konfirmon se do të vazhdojë monitorimin aktiv të situatës epidemiologjike dhe do të informojë publikun dhe autoritetet për çdo zhvillim të ri.