75 Mall Live Search
20:41 / E Enjte, 21 Janar 2021 / Blerim

Avdic tregon për gjyqin ndaj Ballkanit, problemet që kishte në Kosovë

Klubi Futbollistik “Ballkani” u penalizua ditë më parë nga FIFA për shkak të një detyrimi ndaj futbollistit Demir Avdic, i cili ishte pjesë e ‘portokallinjve’ dy vite më parë. Suharekasve i’u bllokua për disa ditë sistemi për kryerjen e transferimeve ndërkombëtare “TMS”, derisa klubi i’a pagoi plot 17,000 mijë euro futbollistit nga Novi Pazari.

Përmes një komunikate për media, klubi njoftoi për zhbllokimin e ‘merkatos’, derisa konfirmoi shlyerjen e detyrimeve ndaj futbollistit Avdic, të cilin e prezantuan si futbollist i cili ishte në ‘prova’.

Por, e vërteta qëndron ndryshe. Kështu të paktën ka deklaruar lojtari në fjalë, i cili e fitoi gjyqin me klubin e Ballkanit në FIFA dhe dëshmoi se kontrata e tij ishte valide.

Në një intervistë ekskluzive dhënë Gazetës “Sheshi”, 30 vjeçari ka rrëfyer gjithë situatën, që nga ardhja në Suharekë, problemet me tifozët për shkak të nënshtetësisë serbe, bisedat me drejtuesit e klubit dhe deri te gjyqi në FIFA.

SHESHI: Na tregoni gjithçka nga fillimi, si erdhe te Ballkani dhe çfarë ka ndodhur realisht?

AVDIC: “Me Ballkanin gjithçka ishte në rregull në fillim. Ata  më ftuan për të qenë pjesë e projektit të tyre që kishin nisur dhe kështu ‘firmosa’ kontratë një vjeçare. Nuk kishte të bënte asgjë me provat, ashtu siç kanë deklaruar kështu të paktën. Çdo gjë po shkonte shumë mire në fazën përgatitore që zhvilluam në Durrës. Luaja rregullisht dhe isha në formë optimale. Mirëpo, gjërat ndryshuan brenda pak kohësh, pasi që disa nga tifozët nuk ishin të kënaqur për shkak që kisha pasaportë serbe dhe ata më konsideronin si lojtarë të tillë. Kështu klubi dëshironte të ma shkëpuste kontratën 3-4 ditë përpara se të mbyllej afati kalimtar i janarit. Natyrisht se unë nuk pranova, pasi që kam dy fëmijë, kam bashkëshorten dhe prindërit të cilët jetojnë nga paga ime që marr prej futbolli. Unë mendoj dhe bëj gjithçka për familjen time”.

SHESHI: Dhe, më pas vendose t’i ndjekësh rrugët ligjore për të kërkuar kompensimin e kontratës, apo si ishte puna?


AVDIC: “Klubi vendosi që të ma shkëpus kontratën në mënyrë të njëanshme dhe kështu unë e njoftova avokatin tim dhe ai e dërgoi lëndën në FIFA gjatë muajit shkurt të vitit 2019. Lënda mbaroi këtë vit dhe unë e fitova të drejtën time të marr paratë që më takonin, pasi që kisha një kontratë, të cilën ata nuk e rrespektuan. Faleminderit Zotit çështja tashmë është zgjidhur. Unë dhash 100% tim sa isha te Ballkani dhe rrezikova gjithçka. Ata nuk u treguan korrekt me mua dhe më lanë në rrugë. Sinqerisht kjo nuk ishte aspak e drejtë dhe aspak korrekte, sidomos për një klub që pretendon të fitojë kampionatin, apo edhe të luaj në Evropë”.

SHESHI: Cila është vlera e kontratës tuaj?
AVDIC: “Kontrata ime kishte vlerën e 17,000 eurove për një vit.

SHESHI: A është paguar kontrata juaj tani?
AVDIC: “Po, po. Avokati im më ka konfirmuar që më është paguar deri në centin e fundit”.