19:43 / E Enjte, 11 Gusht 2022 / Gj. Sh

Avdimetaj: Besoj që karrierën do të vazhdoj në Itali

Blerjon Avdimetaj, futbollist që me sukses ka luajtur për Besën e Pejës, tani synon karrierën të vazhdojë në Itali.

Është prej mbrojtësve më të mirë, kapiten i kombëtares së Kosovës U-19.

Ai ka oferta të mira nga disa klube në Itali dhe me gjasë do të firmos për ndonjë klub. 

Është luftarak i madh në fushën e lojës dhe motivues për bashkëlojtarë. 

Avdimetaj shprehet se nuk i ngutet për të firmosur pasi që i shikon të gjitha gjërat me kujdes të shtuar.    

“Bota sot”: Keni oferta nga jashtë, nga cilat klube?

Blerjon Avdimetaj: Kam disa oferta por nuk kam bërë zgjedhje përfundimtare sepse dua të vazhdoj karrierën shkallë – shkallë dhe jo të nxitohem të bëj një zgjedhje shumë të lart por pastaj të kem vetëm ulje Dua të vazhdoj ngritje hap pas hapi.

“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja?

Blerjon Avdimetaj: Synimet e mija gjithmonë kanë qenë lart e më lart por gjithmonë synimet të përkrahura nga puna ime.
Synimi im është që në 4-5 vjetet e ardhshme të luaj në ndonjë kampionat dhe klub elitar!

“Bota sot”:  Sa jeni i kënaqur me kushtet aktuale në Kosovë?

Blerjon Avdimetaj: Kushtet në futbollin e Kosovës vetëm sa shkojnë e rriten, kjo dihet pasi jemi shtet i ri dhe e kemi nisur nga zero dhe kemi përparuar shumë shpejt e gjitha kjo fal njerëzve të duhur.

“Bota sot”: Jeni pjesë e Kombëtares së Kosovës U19, a mendoni se iu ka ndihmuar shumë për afirmim?

Blerjon Avdimetaj: Natyrisht që po, kombëtarja është krenaria më e madhe e një futbollisti dhe me ka shtyrë me ka ngritur shumë në aspektin sportiv.

Ku ka ndjenjë më të mirë se të jesh kapiten i kombëtares së Kosovës.

“Bota sot”: Ku priteni të vazhdoni karrierën?

Blerjon Avdimetaj: Besoj që karriera ime do të vazhdoj në Itali por siç e thash edhe më herët jo me hap te nxituar. Jam futbollist në rritje duke punuar e mësuar shumë që në të ardhmen të arrij aty ku e meritoj dhe ku dëshiroj, t’i bëj ëndrrat realitet ato ëndrra që po sakrifikoj shumë për to.