Avokatët e të akuzuarve kundërshtonin pyetjet e prokurorit, Kryeziu u emocionua pasi kujtoi vrasjen e Afrimit/ Si shkoi seanca e sotme për Banjskan?

Në ambientet e Gjykatës Themelore të Prishtinës sot u mbajt seanca e radhës dëgjimore për rastin “Banjska”.
Nën masa të rrepta sigurie u sollën Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, vetëm tre nga 45 pjesëtarët e grupit terrorist që, në krye me Milan Radojçiqin, organizuan dhe kryen sulmin që tronditi vendin.
Përballë trupit gjykues doli zyrtari policor, Mirsad Kryeziu, i cili dha dëshminë e tij mbi ditën kritike të 24 shtatorit dhe sulmin famëkeq që i mori jetën rreshterit Afrim Bunjaku.
Sipas Kryeziut, intensiteti i sulmit ka qenë jashtëzakonisht i madh, nga një strukturë ushtarake e organizuar mirë. Përpara trupit gjykues, Kryeziu rrëfeu në detaje ditën kritike të 24 shtatorit, me theks të veçantë tërheqjen e Afrim Bunjakut nga vendi ku ndodhi sulmi.
Ai përshkroi në detaje momentet kur u ndaluan për të inspektuar kamionët e vendosur si barrikadë në urën që çon për në fshatin Banjskë, plagosjen e rreshterit Bunjaku e deri te çasti kur ai ndërroi jetë nga plagët e marra.
“Gjatë sulmit mes datës 23 dhe 24, dëmtimet e mia kanë qenë gjatë tërheqjes së rreshterit Afrim Bunjaku, për shkak të sulmeve që janë bërë nga grupi, prej të cilit ne u sulmuam atë kohë. Dëmtimet që kam pasur kanë qenë në gju, gjatë tërheqjes, dhe traumat psikike që kam pësuar nga breshëritë e armëve” deklaroi Kryeziu.
Ai tha se pasi filloi turnin 24-orësh, mori detyrat, pajisjet dhe u nis në drejtim të pikës Izbor.
Kryeziu deklaroi se morën veturën normale, jelekun anti-plumb, jelekun taktik, dhe armët e gjata dhe ato personale, që posedojnë të gjithë pjesëtarët e njësive speciale.
“Ne kemi kryer ndërrimin në ora 2 të natës, të datës 24 shtator. Gjatë kthimit në bazë, porsa kemi hyrë në fshatin Banjska, tek ura ku hyn në fshat, kemi vërejtur se janë të parkuar dy kamionë që bënin bllokimin e hyrjes në fshat. Për një moment kemi njoftuar dhomën komanduese dhe kemi informuar se në urën e fshatit Banjska gjinden dy kamionë që bllokojnë hyrjen në fshat. Nga dhoma komanduese kemi marrë urdhrin që të bëjmë ekzaminimin e kamionëve dhe të shohim se çka ka përreth. Unë personalisht kam bërë kontrollimin sipërfaqësor, dhe gjatë atij kontrollimi kam vërejtur se kamioni që ishte më pranë urës kishte derën hapur, e tjetri që ishte më afër fshatit jo. Kamionët nuk kishin tabela të regjistrimit”, u shpreh Kryeziu.
Ai tha se njësiti dyshoi se ishte bllokadë, pasi edhe më herët kishin hasur ne të tilla, në pjesë të ndryshme të Mitrovicës, që i ruanin me armë, sidomos me armë të gjata.
“Na lindi dyshimi se aty ka të bëjë me diçka të pazakontë. Dyshonim se mund të jetë nga kontrabandistë, që gjatë asaj kohe bënin gjëra të tilla. Kamionët ishin të pozicionuar njëri më përpara, tjetri më prapa, e që bllokonin mirë hyrjen e fshatit.”
Përpara trupit gjykues, Kryeziu përshkroi edhe momentin e shpërthimit dhe fillimit të sulmit.
“Nga dhoma komanduese na është thënë të presim aty, pasi do të vijë një patrullë nga zona e Zveçanit të na asistojë dhe të na ndihmojë të largojmë kamionët nga rruga. Përafërsisht, pas 20 apo 30 minutash, patrullat kanë ardhur me dy vetura, dhe tre pjesëtarë nga SP i Zveçanit erdhën në drejtim timin, e dy të tjerë u ndalën në një distancë nga kamionët. Të dy ishin pranë automjeteve ku i kishin parkuar. Udhëheqës i patrullës ishte Afrim Bunjaku dhe kërkova nga ai të më japë një polic nga grupi i tij, për të shkuar për të hequr kamionët nga rruga… Njëri nga pjesëtarët e SP të Zveçanit erdhi me mua. U ndal pranë kamionit ku ishte dera e hapur, e unë u futa në thellësi te tjetri, për të hapur derën e kamionit të mbyllur. Porsa e hapa derën, dëgjova një detonim, një shpërthim. U nisa në drejtim të policëve tanë dhe pashë se nga ai detonim, një nga policët tanë, Afrim Bunjaku, ishte i shtrirë dhe i mbuluar me gjak. Ai ishte i plagosur në fyt, kishte gjakderdhje të madhe. Ishte e pamundur t’i ofroja ndihmë sepse të shtënat në drejtim tonin ishin të pandalura. Kam tërhequr Afrimin nga vija e zjarrit dhe nisa të gjuaj. Filluan edhe kolegët të shtinin në drejtim të tyre. Aty ishte edhe një polic, nga i cili kërkova të ma sjellë veturën për të tërhequr Afrimin. Ai më tregoi se është edhe një polic i plagosur nga ai detonim. U futa në veturë dhe tentova që veturën ta tërheq edhe disa metra pranë Afrimit por u sulmova me plumba. Dola nga vetura, u ktheva tek Afrimi, që po luftonte me jetën, dhe u mundova ta tërheq akoma më shumë”, deklaroi nën emocione Kryeziu.
“E mora rreshterin dhe u nisa ta dërgoja për në spital. Gjatë kthimit për në spital, personi që më kishte përcjell më goditi në gomën e veturës. I thashë Elezit [Pecit] të vazhdojë tutje për në spital, e unë të kthehem t’u dalë në ndihmë të tjerëve.
Në atë moment pashë dritat e kaltra të policisë, që erdhën me automjete të blinduara. Iu tregova që në veturë kam një koleg të plagosur rëndë dhe një tjetër ka mbetur pas, po ashtu i plagosur… Gjatë rrugës, vozitja ime nuk ka qenë edhe aq e shpejtë për shkak të rrotave dhe automjetit të dëmtuar. Me të hyrë në spital, më thanë se Afrimi tashmë kishte ndërruar jetë” deklaroi Kryeziu.
Ai tha se organizimi ka qenë i planifikuar dhe se kishte vënë re pjesëtarë të uniformuar, të armatosur, disa me maska e disa pa to.
“Nga përvoja ime policore tash e 25 vjet dhe nga përvoja e luftës, e njoh mirë llojin e armatimit dhe efektin e tyre. Nga viti 2002 e deri tash, unë kam shërbyer vetëm në njësi të specializuara dhe kam kryer trajnime të shumta në lidhur me përdorimin e armëve dhe njohjen e tyre. Prandaj po them se armët kanë qenë të kalibrit të ndryshëm”, përshkroi Kryeziu.
Avokati i njërit prej të akuzuarve tha se Kryeziu nuk është ekspert të japë kualifikime të veprës juridike penale dhe nuk mund ta bëjë këtë gjë.
Prokurori pyeti Kryeziun se pse sulmi ndodhi pikërisht në atë lokacion dhe atë kohë. Avokatja e njërit nga të akuzuarit u kundërshtua duke thënë se dëshmitari mund të flasë për atë që ka parë dhe jo për qëllimet e dikujt tjetër.
Megjithatë, kjo pyetje u lejua nga trupi gjykues, pasi ishte në interes të Gjykatës të dëgjohej deklarata e Kryeziut.
“Sipas mendimit tim, nuk është që ka ndodhur për herë të parë. Gjatë gjithë kohës që qëndronim në veri, nuk ishim të dëshiruar nga po të njëjtit pjesëtarë që ishin të organizuar për gjëra të tilla. Ka pasur edhe sulme të tjera ndaj patrullave të policisë. Pse ai pozicion? Ishte i favorshëm sepse organizimi ka qenë i mirë. Nuk është rastësi që u organizua në Banjska, duke përdorur Manastirin, ku kishte pelegrinë atë ditë, duke përdorur pozita të favorshme për sulm. Ata patën edhe një rrugë për t’u larguar. Pikërisht është zgjedhur ai pozicion” deklaroi Kryeziu.
Seancat e radhës për rastin do të mbahen nesër dhe pasnesër. Më poshtë fragmente nga seanca e sotme: