75 Mall Live Search
11:13 / E Mërkurë, 05 Nëntor 2025 / KV

Avokati Bajraktari: Procesi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i stërzgjatur dhe me shkelje të shumta

Avokati Ardian Bajraktari, i cili prej pesë vjetësh ndjek nga afër zhvillimet në Gjykatën e Hagës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar duke e cilësuar këtë proces si të stërzgjatur, të padrejtë dhe me shkelje të shumta të të drejtave themelore të njeriut.

“Tash e pesë vjet në betejë për të vërtetën! Proceset e stërzgjatura gjyqësore apriori janë të padrejta, ngase shkelin parimin e gjykimit ‘brenda një afati të arsyeshëm’, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka theksuar Bajraktari.

Sipas tij, ky proces nuk është vetëm i vonuar, por edhe i karakterizuar nga mungesa e transparencës dhe pranimi i provave nga burime të komprometuara, duke e bërë atë një shembull të qartë të cenimit të drejtësisë ndërkombëtare.

“Kur procesi karakterizohet me mungesë transparence dhe me prova të pranuara nga një regjim gjenocidal, ai bëhet shumë i padrejtë dhe me shkelje të shumta. I tillë është procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së”, ka shtuar ai.

Bajraktari kujtoi se nga nëntori i vitit 2020 deri në prill të vitit 2023, janë mbajtur vetëm seanca statusore, ndërsa gjykimi real ka filluar tek në prill të vitit 2023, çka dëshmon sipas tij mungesën e përgatitjes së prokurorisë dhe qasjen destruktive të saj gjatë gjithë procesit.

“Prokuroria ka hyrë në proces pa qenë e përgatitur, ka dorëzuar dokumente në momentet e fundit dhe ka kontribuar drejtpërdrejt në zvarritjen e procedurave”, tha ai.

Megjithatë, avokati theksoi se teza e prokurorisë për “Ndërmarrjen e përbashkët kriminale” nuk është arritur të argumentohet, ndërsa mbrojtja ka arritur të kundërshtojë me sukses këto pretendime, përmes dëshmitarëve dhe provave bindëse.

Në përfundim, Bajraktari vlerësoi se ish-krerët e UÇK-së — Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi — po e përballojnë me dinjitet këtë proces, duke i kontribuar sërish kauzës për të cilën dikur luftuan: çlirimit dhe dinjitetit të vendit.

“Proces i stërzgjatur dhe sfidues, por të rralla janë personalitetet që kanë fatin të kontribuojnë në etapa të ndryshme për të njëjtën kauzë – çlirimin e vendit përmes një lufte të pastër e çlirimtare. Fundin e këtij procesi e presim të jetë triumfues”, përfundoi Bajraktari.