15:16 / E Premte, 19 Mars 2021 / k.v

Avokati Besnik Berisha: Gjykata sot shkeli ligjin me dy këmbët

Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur që të rihapë seancën e shqyrtimit gjyqësor për rastin ku Shaban Gogaj po akuzohet nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e tani të ndjerit Agonis Tetaj, në shtatorin e vitit 2018, në kompaninë “Gogaj Ag”.

Avokati i të akuzuarit Gogaj, Besnik Berisha,ka thënë se sot gjykata e pranoi që ose ka dështuar atë ditë, ose ka dështuar sot.

“Ligji ua jep të drejtën për të sqaruar një provë por sot duhet ta titullonte se cila është ajo provë. Unë besoj në drejtësi dhe me mjete të ligjshme do ta luftojë këtë padrejtësi dhe këtë shkelje të ligjit se cila do të jetë ajo e shohim”, ka thënë avokati Berisha pas seancës.

Ai ka thënë se nuk e kanë ndërmend të dorëzohen nga asnjë presion, sepse nuk po themi se Shaban Gogaj nuk e ka vrarë Agonis Tetajn, por po shfaqim në publik se ajo çka ka ndodhur nuk lidhet me asnjë sekondë të vetme para momentit tragjik.

“Unë nuk i besoj kësaj gjykate. Çfarëdo vendimi që do të jetë nesër do të jetë i ndikuar dhe njëra palë do të protestojë”, ka deklaruar ai, transmeton IndeksOnline.

Avokati Berisha thotë se ka një mal rrugësh ligjore për të ndjekur.

“E drejta kushtetuese e Shaban Gogajt nuk mbrohet nga kjo gjykatë. Ka një instancë që është superfuqi në aspektin kushtetues dhe kur t’i shterim të gjitha mjetet juridike besoj se të gjitha do të jenë në favor tonin”, ka thënë ai./IndeksOnline/