15:07 / E Martë, 19 Maj 2020 / indeksADMonline

Avokati Damati: Rrëzohet krimi organizuar në rastin e policëve të veriut

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë ndaj 33 personave, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Kontrabandë me mallra” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Musa Damati, avokat i eprorit të policisë me inicialet N.G., ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale akoma nuk e ka përmbushur detyrimin e saj ligjor, duke mos e deponuar kështu ende aktin akuzues dhe të gjitha provat tjera relevante.

Ai shtoi se në lidhje me klientin e tij, mungojnë të gjitha elementet, atributet dhe konstruksioni i pretendimit të ekzistimit të krimit të organizuar.

“Prokuroria Speciale ende nuk e ka përmbushur detyrimin e saj ligjor, duke u bazuar në nenin 244 të KPPRK-së dhe duke u bazuar në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke mos e deponuar kështu akoma aktin akuzues dhe të gjitha provat tjera relevante për këtë rast penal. Ndërsa, lidhur me klientin tim, eprorin e policisë së Kosovës dhe ish-shefin e njësisë për mbikëqyrjen e pikës dhe kontrollin e pikës kufitare vlerësojmë se mungojnë të gjitha elementet, atributet dhe konstruksioni i pretendimit të ekzistimit të krimit të organizuar”, ka thënë Damati.

Ai u shpreh i bindur në rrëzimin e veprës “krim i organizuar” sa i përket klientit të tij.

“Mbrojtja beson se krimi i organizuar në këtë rast në raport me klientin tim do të rrëzohet. Në rast se jo, atëherë gjatë shqyrtimit gjyqësor në seancat e këtij rasti penal, besoj se do të arrijmë që ta rrëzojmë krimin e organizuar si formë të bashkëpunimit kriminal në këtë rast penal”, theksoi avokati Damati.

Pas takimit në Prokurorinë Speciale, avokati Damati, ka konfirmuar se, forma e bashkëpunimit kriminal të krimit të organizuar tashmë nuk ekziston dhe është rrëzuar për këtë rast penal.

Mësohet se aktakuza ka të bëjë me kontrabandimin e mallrave të ndryshme si kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike, mallra ushqimore nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale.

Ndryshe, shumica e këtyre të pandehurve ishin arrestuar më 28 maj të vitit të kaluar gjatë një operacioni policor nëpër disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri dhe Mitrovicë Jug, ndërsa në mesin e të arrestuarve ka eprorë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb, shqiptar, të atij boshnjak e të tjerë.