75 Mall Live Search
18:31 / E Hënë, 25 Korrik 2022 / AR

Avokati i Feros tregon detajet e rastit të rrahjes së qytetarit: U provokua me këngë të Unikkatilit, është i penduar për atë që ka bërë

Reperi i njohur shqiptar, Fero, është vënë sot nën prangat e policisë, për shkak se të dielën ai sulmoi një person në qytetin e tij të lindjes.

Një video e publikuar nga ‘Nacionale’ tregonte momentin kur reperi gjilanas me sjellje agresive, gjuan me shqelma dhe godet brenda një veture, një person në mes të Gjilanit.

Ai tani është dërguar në mbajtje, teksa avokati i tij mbrojtës, Egzon Halimi, në një bisedë telefonike për Telegrafin ka treguar motivet e ngjarjes.

“Fero ka qenë duke pirë kafe në lagjen e tij, ka parë disa të rinj poshtë te kafenetë dhe kishte vendosur t’i qeraste, kur në një moment ka kaluar një veturë, e cila e ka provokuar atë”, tha avokati Halimi.

Tutje, ai shtoi se provokimi ishte bërë duke i lëshuar të njëjtit një këngë të Unikkatilit (i njohur si Viktor Paloka me emrin e tij të vërtetë), në të cilën ai shan publikisht Feron.

“Personi brenda veturës ka qenë duke lëshuar një këngë të Unikkatilit, në të cilën reperi Fero shahet dhe ofendohet rëndë dhe mu përmes së saj, ai e ka provokuar Feron, ku ky i fundit nuk e ka duruar presionin dhe ka nisur konfliktin në afekt. Personat që i ka sulmuar as ky nuk i njeh, pasi rasti ka ndodhur pa paramendim”, shtoi tutje avokati.

“Ai për momentin është në ndalim tash pritet se çfarë vendimi do të marrë gjykata. Ndaj tij është ngritur akuzë për sulm, tani të shohim. Vet klienti është i penduar për veprën që ka bërë”, përfundoi Egzon Halimi.

Përndryshe, reperi emri i vërtetë i të cilit është Feronit Shabani u arrestua sot (e hënë) në qytetin e tij të lindjes, me vendim nga Gjykata Themelore e Gjilanit.