75 Mall Live Search
19:35 / E Shtunë, 13 Shkurt 2021 / OSH

Avokati i Gjokiqit të dënuar për krime lufte reagim publik Ministres Haradinaj-Stublla

Avokati Ljubomir Pantović, i cili mbron Zoran Gjokiqin e dënua me 12 vjet burg për krime lufte në Pejë, përmes një letre publike i ka reaguar Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila pas vendimit të Gjykatës ishte shprehur se “12 janë pak për këta lloj monstrash gjenocidalë”.

Avokati Pantović në letën e hapur për ministren Haradinaj-Stublla të botuar në mediat serbe shkruan se me këtë u shkel prezumimi i pafajësisë.

“Duke pretenduar se Zoran Đokić ishte një ‘kriminel gjenocidi’, ju shkelët rëndë prezumimin e pafajësisë së tij, të garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, dhe gjithashtu shprehni mosrespektim të rregulloreve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e avokatit Ljubomir Pantović.

Gjykata Themelore në Prishtinë në shkallën e parë dënoi Zoran Gjokiqin nga Peja me 12 vjet burg për krime lufte kundër civilëve.

Edhe pse ende një vendim i shkallës së parë, Ministri i Punëve të Jashtme, sipas avokatit serb, iu drejtua publikut menjëherë me reagimin  e saj.

Pas dënimit të Gjokiqit, shefja e diplomacisë ka deklaruar se “Kosova e pavarur e ka marrë drejtësinë në duart e veta, dhe sot e provoi duke dënuar më në fund të tmerrshmin e ‘Kristalit’ në Pejë, Zoran Gjokiq-in”.

“E megjithatë ky dënim vjen vonë, edhe vjen i cunguar. 12 vite janë pak për këta lloj monstrash gjenocidalë. Dënimi i një personi të vetëm është pak, për të mos thënë asgjë, për tmerret që i kanë shkaktuar popullit të Kosovës” , ishte shprehur Haradinaj-Stublla duke shtuar se “Kosova kërkon drejtësi ndaj veprave makabre të secilit Gjokiq e çifteve të tij.

Koha ka ardhur për drejtësi të plotë dhe përfundimtare për luftën e Kosovës!”.

Avokati i Gjokiç, Ljubomir Pantovic, në letrën e tij publike shkruan se ky është ende një vendim jo-përfundimtar, i cili mund të ndryshohet në procedurën e Apelit.

Sipas tij, ministrja Haradinaj-Stublla me reagimin e saj “drejtpërdrejt i dërgoi një mesazh gjyqësorit të Kosovës se një dënim me 12 vjet burg është i pamjaftueshëm”.