75 Mall Live Search
22:57 / E Premte, 09 Tetor 2020 / indeksADMonline

Avokati i Haki Rugovës: Shoqërimi dhe ndalimi në polici është tërësisht i kundërligjshëm

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova më urdhër të Prokurorisë është arrestuar së bashku me nënkryetarin, Lulzim Bekaj dhe zyrtarin, Faton Bujupi, ndërsa avokati i Rugovës, Besnik Berisha thotë për Indeksonline se shoqërimi dhe ndalimi në polici i Rugovës është tërësisht i kundërligjshëm.

“Po, është e vërtetë se pasdite në polici është shoqëruar zoti Rugova, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë, për të sqaruar nënshkrimin e kontratave nga ish- nënkryetari Lulzim Blakaj. Nga ajo që kam perceptuar gjatë intervistimit dhe provat e ofruara nga hetuesit policorë, jam absolutisht i bindur se zoti Rugova nuk  ka bërë asnjë krim, përkundrazi ka respektuar në përpikëri ligjet për vetëqeverisje lokale, statutin e Komunës dhe ligjet e tjera në fuqi. Ndalimi i tij mund të jetë i motivuar nga gjithçka tjetër, për nuk është aspak i arsyeshëm dhe i bazuar në ligj apo në shkaqe që arsyeton Kodi i Procedurës Penale. Pavarësisht faktit se ai sonte është në cilësinë e të dyshuarit dhe të ndaluarit, në një proces të drejtë dhe të ligjshëm do të provohet se ai është viktimë e një urdhri të kundërligjshëm për ndalim, e jo shkelës i ligjit në çështjen nën hetim. Zoti Rugova së shpejti do t’i kthehet faqebardhë familjes së tij dhe punës së tij, si kryetar i Komunës, ndërkaq prokuroria do të konfirmohet se ka mungesë të objektivitetit në interpretimin e ligjit”, tha Berisha.

Indeksonline përmes burimeve mëson se Haki Rugova dyshohet për falsifikim dhe keqpërdorim në lejen dhe dokumentet që kanë të bejnë me gurëthyes.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës.

“Mund të konfirmojmë se hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) më, 09.10.2020 kanë intervistuar tre persona në cilësinë e të dyshuarve, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale: ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘konflikti i interesit’ dhe ‘falsifikimi i dokumentit zyrtar’.

 “Të dyshuarit, pas intervistimit me vendim Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë,  ju është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”.