17:58 / E Mërkurë, 13 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Avokati i Ismailit mbron klientin në Gjykatë: S’mund të vërtetohet se kishte gaz në këpucë

Më 30 nëntor të 2015’ës Fisnik Ismailit iu gjetën dy bombola të gazit lotsjellës, të fshehura në këpucët e tij derisa hynte në Kuvendin e Kosovës, me qëllim që t’i fusë në sallën plenare të legjislativit. Ai gjithashtu akuzohet nga Prokuroria Themelore se ka penguar policët gjatë arrestimit të Albin Kurtit, arrestim ky që ndodhi në ndërtesën e Kuvendit më 17 nëntor të po atij viti

Aktakuza e Prokurorisë Themelore thotë se Fisnik Ismaili kishte tendenca që këto dy bombola të gazit t’i fuste në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës. Këto bombola, atij iu gjetën gjatë kontrollit nga policia në hyrje të ndërtesës së Kuvendit. Fisnik Ismaili akuzohet për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve dhe pengim të punës zyrtare në kryerjen e punës zyrtare.

Të pranishëm në sallën gjyqësore të shqyrtimit të dytë, avokati i Ismailit, lexoi kërkesën që e ka bërë për hedhje poshtë të aktakuzës së prokurorisë.

Pika e parë e aktakuzës e ngarkon Ismailin me vepër penale për mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve. Mbrojtja, për këtë pikë të aktakuzës, të mërkurën në seancë tha se kjo gjë nuk mund të vërtetohet, “një vërtetim i lëshuar dhe i regjistruar si provë se Fisnik Ismaili i kishte ato dy bombola gazi në këpucën e tij, nuk mbanë numër të protokolluar të rastit”.

“Mbrojtja konsideron se sa i përket pikës së parë të aktakuzës me të cilën prokuroria e akuzon Fisnik Ismailin për kryerje të veprës penale për mbajtje në pronësi apo posedim të paautorizuar të armëve, nuk mund të vërtetohet pasi që të vetmen provë që e ka prokuroria është vërtetimi mbi marrjen e përkohshme të gjësendeve i datës 30.11.2015”, tha avokati i Ismailit, Betim Shala.

Avokati i deputetit të Vetëvendosjes, tha se ky vërtetim nuk mbanë as numër të rastit, nuk ka të dhëna identifikuese të mjeteve të konfiskuara dhe sqarimi që ceket në këtë vërtetim se dyshohet se këto bombola mund të përmbajnë gaz lotsjellës, “nuk është provë me të cilën në mënyrë të saktë vërtetohet përmbajtja e këtyre dy bombolave”.

“… por pavarësisht nga kjo, vet fakti që në shkresat e lëndës nuk ka provë që dëshmohet përmbajtja e këtyre bombolave, kjo tregon dhe udhëzon që me këtë provë nuk mund të vërtetohet dyshimi se i akuzuari Fisnik Ismaili ka kry veprën penale”, tha mbrojtja e deputetit të Vetëvendosjes.

Ai tha se Gjykata këtë situatë duhet ta interpretojë në favor të të pandehurit të tij, Fisnik Ismailit.

Pika e dytë e aktakuzës, e ngarkon Ismailin me vepër penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, ndaj policëve Isuf Xhemajlin, Mehdi Kozhanin, Rifat Gashin, Ali Berishën dhe Faik Krasniqin. Është fjala për rastin kur Fisnik Ismaili u pa duke penguar këta pjesëtarë të policisë, të cilët kishin urdhër që ta shoqëronin Albin Kurtin në Gjykatë më 17 nëntor të 2015’ës.

Për këto çka thuhen në aktakuzë, avokati Shala tha se e kundërshton këtë pikë plotësisht.

“Unë si mbrojtës me rastin e shikimit të këtyre videove askund s’kam vërejtur ndonjë veprim të Fisnikut se ka ndërmarrë ndonjë veprim me të cilin do të pengonte pjesëtarët e policisë së Kosovës që të shoqërojnë Albin Kurtin”, tha avokati i Fisnik Ismailit.

Avokati tha se nga këto incizime nuk vërtetohet se Fisnik Ismaili ditën kritike ka përdorë ndonjë forcë apo iu është kanosur ndonjë pjesëtari të policisë, shkruan Gazeta Express.

Kjo ngjarje ka ndodhur në hyrjen kryesore të Kuvendit të Kosovës, dhe prokuroria pretendon se Fisnik Ismaili i ka penguar policinë që ta shoqërojnë Albin Kurtin në Gjykatë. Por, avokati, sot në seancë tha se në këto incizime, shihet se si pjesëtarë të policisë i kanë shtyrë deputetët e Kuvendit dhe nuk ka vërejtur se Fisnik Ismaili ka kanosur ndokënd.

Ai gjithashtu tha se në provat që i posedon prokuroria, nuk gjendet ndonjë urdhërarrest drejtuar policisë që ditën kritike kudo që gjendej Albin Kurti të shoqërohej.

I pyetur nga gjyqtari Vesel Ismaili, i akuzuari, Fisnik Ismaili tha se e mbështetë në tërësi kërkesën e avokatit të tij për hedhjen poshtë të aktakuzës.

“Nuk kemi asnjë provë që së paku në mënyrë indirekte na udhëzon se pjesëtarët e policisë kanë pas një urdhërarrest të tillë të lëshuar nga gjykata apo prokuroria, që të mund të dyshohet se ata, me të vërtetë ditën kritike tek hyrja e Kuvendit, deputetit Albin Kurti ia kanë treguar urdhëresën, që i njëjti të shoqërohet për në Gjykatë apo prokurori”, tha avokati.

Por, Prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ilaz Beqiri, me të dëgjuar kërkesën e mbrojtjes, sidomos pjesën ku avokati foli për Albin Kurtin, reagoi duke thënë se “ky proces nuk është për Albin Kurtin, por për Fisnik Ismailin”.

Prokurori tha se pretendimet e mbrojtjes që i ka paraqitur në kërkesë për hedhje poshtë të aktakuzës, janë të pasakta, pasi që sipas tij, aktakuza është ngritur në mënyrë të ligjshme dhe është e mbështetur në prova dhe fakte.

“Në këtë shqyrtim gjyqësor pa mëdyshje do të vërtetohet se Fisnik Ismaili kreu veprat penale që i vihen në barrë në kohë, vend dhe mënyrë ashtu siç është përshkruar në dispozitivin të kësaj aktakuze”, tha Prokurori Beqiri,GazetaExpress.

Gazeta Express pati përcjellë këtë ngjarje që ka ndodhur më 30 nëntor të 2015’ës, kur Fisnik Ismailit iu janë gjetur bombolat e gazit në këpucë dhe është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Aktakuza thotë se Fisnik Ismaili më 17 nëntor të 2015’ës, në dalje të Kuvendit të Kosovës, i kishte penguar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Isuf Xhemajlin, Mehdi Kozhanin, Rifat Gashin, Ali Berishën dhe Faik Krasniqin në kryerjen e detyrave zyrtare. Sipas aktakuzës, në momentin kur policët kishin tentuar që ta ndalin dhe ta shoqërojnë në polici deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Albin Kurtin, i akuzuari Ismaili afrohet me deputetet e tjerë në mes dhe pamundëson shoqërimin e tij në polici.

Por, nuk është i vetmi Fisnik Ismaili që ngarkohet me akuza të tilla nga Prokuroria. Edhe Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli ngarkohen me akuza të njëjta, por gjykimet ndaj tyre zhvillohen ndaras.

Kjo seancë gjyqësore ishte e shqyrtimit të dytë dhe kishte të bënte më kërkesën që e ka paraqitur avokati i të akuzuarit Fisnik Ismaili për hedhjen poshtë të aktakuzës. Seanca e radhës nuk është caktuar se kur do të mbahet, mirëpo Gjykata do të njoftojë për datën dhe orën e mbajtjes së saj.