20:34 / E Martë, 18 Korrik 2023 / MSH

Avokati i ministres Haxhiu i bën thirrje Besnik Berishës: Nëse nuk tërheq deklaratën e nuk kërkon falje, përgatitu për betejë ligjore

Të enjten e 13 korrikut, avokati i njohur Besnik Berisha u shoqërua në stacion policor.

Tri ditë me vonë, Berisha u lirua, teksa u refuzua kërkesa ndaj tij, për paraburgim.

Pas lirimit, Berisha deklaroi se arrestimi i tij ka prapavijë politike, për shkak se ai pati zë kritik ndaj Qeverisë.

Lidhur me reagimin e Berishës pas lirimit është deklaruar edhe i angazhuari nga Ministrja e Drejtësisë, Nasuf Hasani.

Hasani, i cili është kryetar i degës në Prishtinë të Odës së Avokatëve, ka njoftuar se është angazhuar nga ministrja Albulena Haxhiu, që ta përfaqësojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sa i përket padisë për kompensim dëmi kundër avokatit Berisha.

Hasani thotë se deklarata e avokatit Berisha ka për bazë shpifjen dhe fyerjen.

“Nga sa u njoftuam përmes mediave, z. Berisha paska thirrur nesër një Konferencë, ku e shfrytëzoj rastin ta ftoj të njëjtin që t’i prezantojë provat që dëshmojnë deklaratën e tij të mbrëmshme se Ministrja Haxhiu e paska urdhëruar Prokurorin Rasim Maloku që ta arrestojë të njëjtin.

Në të kundertën, nëse i njëjti nuk e tërheq atë deklaratë nesër dhe nëse nuk kërkon falje, le të përgatitet për betejë ligjore” ka thënë Hasani në një njoftim.