Avokati i Selimit: Pavarësisht mangësisë së provave bazë, ZPS-ja vazhdon të mbështesë një pretendim
Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet për emërime të personave të caktuar nga klienti i tij gjatë periudhës së luftës.
Ai tha se pavarësisht mangësisë së provave bazë, ZPS-ja megjithatë vazhdon të mbështesë një pretendim për të lidhur boshllëkun e provave me spekulime.
“Në dosjen e Prokurorisë, pretendohet se Selimi ishte përgjegjës për shqyrtimin e propozimeve për emërime, përfshirë edhe zonat, që diskutohej më pas nga Shtabi i Përgjithshëm. Ky pohim bazohet në dy shënime të dorëshkruara. Të dyja i referohen krijimit të komisioneve të ndryshme, emri i Selimit paraqitet vetëm në një shënim që nuk mban datë, si anëtar i këshillit për personelin. Dokumenti tjetër nuk e përmend atë, nuk e identifikon si anëtar të këshillit për personelin. Asnjëri nga dëshmitarët nuk e konstatoi mungesën e Selimit nga kjo listë, apo korrigjoi dokumentin për ta përfshirë atë”.
“Në fakt, provat lidhur me Këshillin e Personelit, edhe sikur të ekzistonte dhe të ishte funksional, janë shumë të kufizuara siç u shpjegua nga mbrojtësi i Thaçit. Pretendimi lidhur me takimin e 12 shkurtit 1999, ku prokuroria pretendon se u vendos të zëvendësohej komandant Drini si komandant i Zonës së Pashtrikut, ka fare pak të bëjë me Këshillin e Personelit. Spekulimi se ishte Këshilli i Personelit që ka dhënë arsye për zëvendësimin e propozuar, nuk bazohet në njohurinë e tij”, deklaroi avokati Roberts.
Gjithashtu, mbrojtësi i Selimit tha se pretendimi se klienti i tij udhëhoqi debat apo diskutim gjatë takimit, bazohet në rrëfimin e dëshmitarit i cili nuk ishte në gjendje të shpjegonte kur një individ tjetër, i pranishëm po ashtu në takim, dha një rrëfim ndryshe të këtij takimi prokurorisë dhe shpjegoi se as zoti Selimi e as anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm nuk ishin të pranishëm, nuk i kujtohej.
Dëshmitarit, tha ai, nuk i kujtohej që kishte pasur ndonjë debat publik me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm.
“Mbrojtja trajtoi këtë në hollësi, zëvendësimin e komandant Drinit, në dosjen e tyre, përpjekja e prokurorisë në parashtrimet gojore për të kundërshtuar zëvendësimin e komandant Drinit dhe ngritjen në detyrë të Sylejman Selimit, është gjithashtu e pavend. ZPS-ja nuk ka paraqitur prova se zoti Selimi ishte përgjegjës në një mënyrë apo tjetër për këtë veprim”.
“Megjithatë, prokuroria paraqet zgjedhjen e zotit Selimi si komandant të UÇK-së zëvendësimin e Azem Sylës që nuk ka asnjë provë se kjo ishte planifikuar dhe u zbatua nga Rexhep Selimi. Si shumë prej provave të prokurorisë, kjo është thjesht thashetheme dhe insinuim më shumë sesa diçka që bazohet në prova”, u shpreh avokati i Selimit.
Sipas tij, ZPS-ja gjithashtu pretendon se Selimi ishte pjesë e një grupi të kufizuar që kontrollonte emërime ku sigurohej se njerëzit e duhur do të ishin aty për të zbatuar qëllimin e përbashkët.
“Ata do të merrnin emërimet e duhura dhe ngritjet në detyrë. Kjo është një deklaratë bombastike, e fuqishme që përmendte emërimin nga zoti Selimi lidhur me Faton Mehmetaj, Kadri Kastrati dhe një tjetër individ”, tha Roberts, teksa shtoi se nuk ka pretendim apo provë se ndonjë emërim i tij ka shërbyer në një mënyrë apo tjetër për të zbatuar qëllimin e përbashkët.
“Zoti Ahmetaj pretendohet se ishte përfshirë në krime, sipas dosjes së Prokurorisë. Emërimi i tij formal nga zoti Selimi është bërë në kontekstin e përpjekjeve për të zgjidhur një situatë që përfshinte zotin Tahir Zemaj në gusht 1998. Emërimi i Mehmetajt nga zoti Selimi ka ndodhur pasi ai kishte bërë një punë të tillë, në rol të ngjashëm, në zonën e Dukagjinit, ku ishte emëruar nga zoti Haradinaj. P920, që lidhet me një anëtar të FARK-ut, është lëshuar në të njëjtën ditë si emërim i zotit Mehmetaj”, deklaroi më tej avokati.
Ai pyeti ZPS-në se “si mundet, në mënyrë të arsyeshme, që ky emërim të ishte po ashtu pjesë e planit të përbashkët për të vendosur individë që ishin besnikë ndaj zotit Selimi në pozita për të zbatuar planin”.
“Ndoshta zoti Selimi mund të ketë dashur të ekzagjerojë ndaj tij duke thënë se ai i ka bërë këto emërime. Asnjë dëshmitar apo prova shkresore nuk mbështesin pretendimin e ngritur, dhe prokuroria nuk e ka pyetur fare dëshmitarin për ta konfirmuar këtë”.
Avokati vazhdoi të flasë edhe për dy emra tjerë që pretendohet të jenë emëruar nga zoti Selimi.
“Prokuroria pretendon se zoti Selimi i caktoi detyrën Nexhmi Kastratit në komandën e burgut, dhe Nexhmiu kishte qenë mbikëqyrës i ndalimeve të mëparshme dhe abuzimeve në bashkëpunim me zotin Selimi. Megjithatë, i vetmi emërim me të cilin zoti Selimi pretendohet të jetë përfshirë lidhur me rolin e Krasniqit si komandant i policisë ushtarake të zonës së Pashtrikut, 1999, është trajtuar në mënyrë të gjerë dhe është kundërshtuar në dosjen e mbrojtjes”.
“Lidhur me këtë pretendim të fundit, kur zoti Selimi ishte Ministër i Rendit Publik, kjo bazohej në dëshminë e 4738 dhe në që gjendet në dosjen e Prokurorisë, dhe që përfundimisht nuk u pranua në prova. Pavarësisht mangësisë së bazës së provave, ZPS-ja megjithatë vazhdon të mbështesë këtë pretendim për të lidhur boshllëkun e provave me spekulime”, tha avokati mbrojtës i Rexhep Selimit.
Ekipi mbrojtës i Selimit do të vazhdojë paraqitjen e argumenteve edhe gjatë pjesës së parë të së premtes, e ku më pastaj do të flasë edhe mbrojtja e Jakup Krasniqit.

