Avokati kërkon përjashtimin e tri deklaratave të të akuzuarit, prokuroria kundërshton: Të drejtat janë lexuar në procesverbal
Në seancën gjyqësore që po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarve Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyçi, të cilët po akuzohen për kontrabandë me 400 kilogramë kokainë të fshehur në produkte pule të importuara nga Brazili, avokati i të akuzuarit Kadri Sheqiri, Xhafer Maliqi, ka kërkuar nga trupi gjykues që tri deklarata të mbrojturit të tij të shpallen të papranueshme.
Po ashtu në këtë seancë për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit është shtyrë që të dëgjohet dëshmia e Kadri Sheqirit.
“Keni parasysh paragrafin 5 mjekoligjor, për të cilin është konstatuar që aktualisht manifeston personalitet të çrregulluar, tip i përzier, shoqëruar me ankth të herëpashershëm. Para se të fillojë marrja në pyetje e të pandehurit, më lejoni të bëj një propozim i cili sipas mbrojtjes është me rëndësi të posaçme, sepse në shkresat e lëndës ju keni deklaratën e të pandehurit dhënë në polici, në të cilën ai para marrjes në pyetje është udhëzuar për të drejtën e tij fundamentale, se i pandehuri ka të drejtë të mos e fajësojë veten e tij. Në shkresat e provës keni katër deklarata, të cilat janë të Prokurorisë në rastin e marrjes në pyetje të mbrojturit tim. Në deklaratën e parë e keni konstatimin se ‘ju keni të drejtë të mos e fajësoni vetveten tuaj’. Por në deklaratat e datës 22.07.2021, 22.10.2021 dhe një tjetër datë, nuk do ta gjeni këtë udhëzim fundamental të së drejtës për mbrojtje të të pandehurit, prandaj propozoj që këto tri deklarata, tri prova, t’i shpallni të papranueshme. Pastaj do të vazhdojmë, ju lus që për shkak të gjendjes së tij…”, tha Maliqi.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arni, njoftoi se para seancës është informuar për gjendjen shëndetësore të të akuzuarit Kadri Sheqiri, dhe kërkoi mendimin e palëve nëse mund të vazhdohet me marrjen në pyetje të tij.
“Sot para seancës nga personat përgjegjës jemi njoftuar, edhe pse ende nuk e kemi pranuar ftesën me shkrim, që i mbrojturi juaj ka pasur disa probleme shëndetësore para seancës. Në këtë kontekst, gjykata kërkon me dijen tuaj: a është sot dita e përshtatshme që të merret në pyetje i akuzuari, apo të vazhdohet me të pandehurit e tjerë, në mënyrë që të jenë në gjendje të deklarohen”, tha Arni.
I akuzuari Kadri Sheqiri tha se për shkak të problemeve shëndetësore kërkon që gjykimi të vazhdojë me të pandehurit e tjerë, ndërsa ai të dëgjohet në një seancë tjetër.
“Është e vërtetë që unë kam pasur probleme me shëndet, por që është e mundur, kisha kërkuar nga gjykata që të vazhdoni me mbrojtjen e të pandehurve të tjerë, e unë të vazhdoj në një ditë tjetër”, tha ai.
Ndërkohë, prokurori special Valdet Gashi kundërshtoi kërkesën e mbrojtjes, duke theksuar se në procesverbalet e përmendura të akuzuarit i janë lexuar të gjitha të drejtat ligjore.
“Rreth procesverbaleve për të pandehurin Kadri Sheqiri, me sa e kuptova avokatin, i dha disa vërejtje në raport me të drejtën që i pandehuri të mos e fajësojë vetveten. Në raport me këtë dua ta njoftoj gjykatën, ashtu siç shihet në procesverbalet e përmendura nga ana e avokatit, kjo e drejtë është e shënuar në këto procesverbale. Në procesverbalin e datës 22.07.2021, në faqen 3, janë të drejtat — do të thotë ekziston. Nuk është ashtu siç sugjeron avokati. Në procesverbalin e datës 22.10.2021, në faqen 3 të këtij procesverbali është lexuar kjo e drejtë. Prandaj nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtësit në fjalë”, tha Gashi.
Pas këtyre diskutimeve, trupi gjykues vendosi që në këtë seancë të dëgjohet dëshmia e të akuzuarit Kadri Brahimi.

