Avokati nga Kosova bëhet Arbitër në Gjykatën e Arbitrazhit
Avokati kosovar Arsim Vranovci është emëruar zyrtarisht si Arbiter në Gjykatën e Arbitrazhit pranë Association of European Attorneys (AEA), një nga rrjetet më të mëdha ndërkombëtare të avokatëve dhe profesionistëve juridikë në botë.
Emërimi i tij në listën ndërkombëtare të arbitrave të AEA-së përfaqëson një arritje të rëndësishme profesionale dhe një vlerësim për kontributin e tij në fushën juridike dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjykata e Arbitrazhit e AEA-së, me seli në Berlin të Gjermanisë, operon në kuadër të Shoqatës Evropiane të Avokatëve dhe ofron zgjidhje të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare përmes procedurave moderne të arbitrazhit, me fokus në efikasitet, procedura online dhe bashkëpunim ndërkombëtar juridik.
Sipas të dhënave zyrtare, AEA-ja është rrjeti më i madh ndërkombëtar i avokatëve për nga numri i zyrave dhe shteteve të përfaqësuara, me 1,521 zyra anëtare në 159 shtete të botës dhe rreth 9,000 avokatë të përfshirë në këtë organizatë ndërkombëtare juridike. Shteti me numrin më të madh të zyrave anëtare është SHBA-ja me 122 zyra ligjore të përfaqësuara.
Përmes këtij angazhimi të ri, Arsim Vranovci do të kontribuojë në trajtimin dhe zgjidhjen e kontesteve ndërkombëtare tregtare dhe juridike, duke përfaqësuar gjithashtu Kosovën në një nivel të lartë profesional ndërkombëtar.
Lista zyrtare e arbitrave mund të gjendet në faqen zyrtare të AEA-së.

