Avokati për rastin në Podujevë: 4-vjeçari ka parë vrasjen e babait, është në gjendje të rëndë psikologjike
Avokati i familjes së viktimës Breznica, Nasuf Hasani, ka folur në studion e “Kosova Live” në T7 lidhur me aktgjykimin ndaj Arsim Sylës, i cili u sot dënua me 22 vjet burgim për vrasjen e V.B. me 2023, në marketin “Interex” në Podujevë.
Ndër të tjera, avokati përmendi edhe pasojat e rënda që kjo ngjarje ka lënë tek familja e viktimës, veçanërisht tek bashkëshortja e tij, Lirije Sylejmani.
Sipas tij, ajo ka pësuar lëndime të rënda trupore nga plagosja në ditën e ngjarjes. Plumbi ka qenë tejshkues – ka hyrë në pjesën e barkut dhe ka dalë në zonën e zorrës së trashë, duke shkaktuar dëmtime serioze dhe pasoja të përhershme për shëndetin e saj.
“Që nga viti 2023, ajo i është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale dhe, sipas gjendjes së saj, pritet të ketë nevojë për trajtime dhe operacione të tjera edhe në të ardhmen”, theksoi Hasani.
Ai shtoi se ngjarja ka lënë pasoja të rënda edhe tek djali i mitur i çiftit, i cili ishte vetëm 4 vjeç në momentin e vrasjes dhe ndodhej pranë babait të tij.
Sipas avokatit, fëmija ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i krimit.
“Pavarësisht përpjekjeve të nënës për ta mbrojtur, në pamjet e sigurisë shihet se fëmija e ka parë me sytë e tij momentin kur babai i tij u qëllua në kokë”, tha ai.
Hasani bëri të ditur se i mituri është duke u trajtuar vazhdimisht nga psikologët, për shkak të traumës së rëndë që ka përjetuar.

