75 Mall Live Search
09:31 / E Premte, 16 Maj 2025 / k.v

Avokati që përfaqësoi familjen e mjekut Hafir Shala dëshmon se çfarë i rrëfyen dy dëshmitarët okularë për ditën kritike

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte Sllavisha Filiq, të enjten është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit avokati Destan Rukiqi- i cili atëkohë përfaqësonte familjen e mjekut të zhdukur. Rukiqi tregoi për rrëfimin e ngjarjes, që ia kishin bërë dy dëshmitarët okularë Shaban Neziri dhe Hetem Sinani, për ngjarjen kritike të zhdukjes së mjekut.

Sllavisha Filiq ngarkohet se si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë tjerë, e kishin dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë mjekun Hafir Shala, ku iu ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe se nga ajo ditë më nuk dihet për fatin e tij,raporton “Betimi për Drejtësi”.

Rukiqi përshkroi ngjarjet e prillit të vitit 1998, kur në zyrën e tij kishin shkuar Shaban Neziri dhe Hetem Sinani- dëshmitarë okularë të rrëmbimit të doktorit Shala. Tha se i kishin treguar që policia e trafikut kishte ndaluar Nezirin, Sinanin dhe doktorin Shala në fshatin Sllatinë, derisa po udhëtonin nga Drenasi për në Prishtinë.

Më pas, sipas dëshmitarit, doktor Shala ishte nxjerrë nga automjeti dhe futur në një xhip të zi, targat e të cilit dëshmitarit nuk i kujtoheshin.

Siç përshkroi ai, dy shoqëruesve të doktorit iu ishte urdhëruar të ndiqnin automjetin deri në stacionin policor në Prishtinë, pas së cilit ata ishin marrë në pyetje veç e veç, por doktorin nuk e kishin parë më kurrë.

Rukiqi tha se të njëjtit dëshmitarë okularë, i kishin përshkruar se si në ndërtesën e atëhershme të Sigurimit Shtetëror kishin dëgjuar britma dhe zëra të doktorit, duke aluduar në torturë dhe keqtrajtim- dhe se pas lirimit nga intervistimi, ata kishin tentuar të merrnin informacione për doktor Shalën. Megjithatë, siç kishin dëshmuar ata, Rukiqi tha nuk kishin arritur të kuptonin asgjë.

Dëshmitari gjithashtu tregoi se me autorizim të familjes, kishte kontaktuar të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë policinë, Sigurimin Shtetëror dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, por pa rezultat.

Ai tha se menjëherë pas ngjarjes ishte takuar me pjesëtarët e SHIK-ut – Fadil Suljeviq dhe një person tjetër që e kishte identifikuar si “Peshiq”. Sipas tij, këta dy persona kishin kërkuar informata mbi burimin e pretendimeve të tij.

Suljeviqi, sipas dëshmitarit, pas luftës, në një kafene, në mënyrë joformale kishte pranuar se Sllavisha Filiq e kishte marrë dhe vrarë doktorin Hafir Shala.

Mbrojtësja e të akuzuarit Filiq, avokatja Milka Milosavljeviq, kundërshtoi kredibilitetin e dëshmisë së sotme, duke theksuar se deklarata bazohet ekskluzivisht në informata të dorës së dytë – nga Hetem Sinani dhe Shaban Neziri.

Pas dëgjimit të dëshmitarit, seanca vazhdoi me paraqitjen e provave materiale, me ç’rast u mor vendimi me të cilin u konstatuan të lexuara deklaratat e pesë dëshmitarëve të dëgjuar më parë në Prokurori, Polici dhe misionet ndërkombëtare.

Përveç kësaj, Gjykata miratoi edhe propozimin për riintervistimin e dëshmitarit Selman Kadriu, i cili do të dëgjohet në seancën e ardhshme.

Ndryshe, më 15 shtator 2023 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj Sllavisha Filiq, i cili ngarkohet se si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë tjerë të paidentifikuar deri më tani nga organet tona, më 10 prill 1998 kishin ndaluar një veturë në Drenas, ku gjendeshin Hetem Sinani, Shaban Haziraj dhe Hafir Shala, ku të njëjtit sipas aktakuzës nga këta pjestarë ishin legjitimuar.

Aktakuza thotë se i akuzuari Filiq me dy zyrtarë tjerë (të tre të veshur me rroba civile) kishin marrë doktorin Shala dhe e kishin dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku mjeku Shala iu kishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe se nga ajo ditë më nuk dihet për fatin e tij.

Andaj, për këto veprime Filiq po ngarkohet me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë.