Avokatja shtetërore demanton lajmin se është arrestuar në aksionin antikorrupsion
Pjesëtarja e avokaturës shtetërore, Nexhmije Karaqi ka demantuar raportimet në media për gjoja arrestimin e saj në operacionin e gjerë antikorrupsion të enjten.
Karaqi, në një shkrim në rrjetet sociale të premten, tha se nuk është arrestuar e as e përfshirë në këtë rast.
“Bëhet fjalë për një identifikim të gabuar, të bazuar vetëm në iniciale të ngjashme”, tha ajo.
“Publikimi i emrit dhe/ose fotografive të mia përbën: informacion të pavërtetë dhe shpifës, cenim të reputacionit dhe nderit, shkelje të së drejtës së personalitetit, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin civil në fuqi”, sipas Karaqit.
Karaqi kërkoi largimin e lajmeve të pavërtata dhe paralajmëroi padi civile ndaj botuesve të lajmeve.

