AVONET i reagon Policisë në Ferizaj, pas arrestimit të gabuar të Ekrem Sadikut

Organizata AVONET ka protestuar ndaj veprimeve të Policisë së Kosovës në Ferizaj rreth arrestimit të qytetarit Ekrem Sadiku. Ky i fundit u arrestua gabimisht nga organet e sigurisë rreth therrjes me thikë të 4 personave.
“Në këtë drejtim, së bashku me kolegët e AVONET, realizuam një performancë të shkurtër para objektit të policisë në Ferizaj, ku kërkuam nga organet përgjegjëse që të reflektojnë urgjentisht dhe të merren masa të nevojshme dhe domosdoshme, në mënyrë që kjo sjellje të mos shndërrohet në një precedent të rrezikshëm për të ardhmen”.

Reagimi i plotë:
“Kur padrejtësitë tentojnë të bëhen ligj, rezistenca bëhet detyrë!
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 35 të saj, i garanton çdo personi të drejtën e lirisë së lëvizjes. Megjithatë, dispozitat procedurale të Kodit të Procedurës Penale dhe të ligjeve të tjera pozitive i japin të drejtë organeve të ndjekjes penale të kufizojnë këtë të drejtë, në rastet kur një person, me anë të veprimit apo mosveprimit të tij, dyshohet se ka kryer një vepër penale që mund të shkaktojë rrezik për rendin publik.
Pra, e drejta kushtetuese e lirisë së lëvizjes mund të kufizohet vetëm kur ekziston dyshimi i arsyeshëm, i cili është i përcaktuar saktë se kur ndërtohet nga dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.


Zakonisht, liria e lëvizjes kufizohet në rastet e parashikuara në ligj përmes arrestimit nga ana e policisë, një e drejtë që i jepet policisë nga dispozitat e legjislacionit në fuqi dhe të aplikueshëm në vendin tonë.
Në rastin tragjik të datës 11.11.2024, i cili ka ndodhur në Ferizaj, ku u sulmuan katër persona, të cilët pësuan lëndime të theksuara trupore, Policia e Kosovës, përmes komunikatave zyrtare, njoftoi se personi i dyshuar në këtë rast ishte arrestuar brenda orës.
Por, më datë 12.11.2024, përmes komunikatave zyrtare të policisë dhe prokurorisë, qytetarët u njoftuan se personi i arrestuar nuk ishte ai që dyshohej se kishte kryer veprën penale, dhe se personi që kishte kryer vepër penale ishte vetëdorëzuar pranë policisë në të njëjtën ditë.
Kjo mungesë profesionalizmi nga ana e organeve të zbatimit të ligjit është jashtëzakonisht shqetësuese, sepse ajo ka çuar në kufizimin e lirisë së lëvizjes për një person të pafajshëm, dhe, përveç kësaj, është cënuar rëndë edhe integriteti i tij personal.
Në këtë drejtim, së bashku me kolegët e AVONET, realizuam një performancë të shkurtër para objektit të policisë në Ferizaj, ku kërkuam nga organet përgjegjëse që të reflektojnë urgjentisht dhe të merren masa të nevojshme dhe domosdoshme, në mënyrë që kjo sjellje të mos shndërrohet në një precedent të rrezikshëm për të ardhmen!