AVONET: MAShTI bllokoi monitorimin e provimit të maturës

Rrjeti i Organizatave Joqeveritare, AVONET, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mospjesëmarrjen në monitorimin e Provimit të Maturës Shtetërore, për shkak të refuzimit nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).
Sipas Rrjetit të Organizatave, pavarësisht kërkesave zyrtare dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar një prani të pavarur në këtë proces, MAShTI nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare, duke e pamundësuar vëzhgimin deri në ditën e testimit.
AVONET thekson se kjo situatë ngre dyshime serioze për transparencën dhe rregullsinë e procesit, duke përmendur informacione të brendshme për manipulim të mundshëm dhe kopjim të organizuar në mënyrë selektive në disa qendra testimi.
Sipas Rrjetit të Organizatave Joqeveritare, moslejimi i vëzhgimit dhe mungesa e një sqarimi ligjor për këtë refuzim, përbën një shkelje të standardeve të transparencës dhe llogaridhënies. AVONET kërkon që MAShTI të sqarojë publikisht arsyet e këtij refuzimi, dhe të hapë menjëherë të gjitha fazat e procesit për monitorim, përfshirë korrigjimin dhe shpalljen e rezultateve.
“Transparenca nuk është luks, por detyrim ligjor dhe etik,” thekson AVONET, duke paralajmëruar se do të vazhdojë ndjekjen e çështjes dhe do të angazhohet për zbardhjen e çdo parregullsie të mundshme në proces.