75 Mall Live Search
18:54 / E Hënë, 15 Shkurt 2021 / OSH

Azem Vllasi: Rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit shënojnë kthesën më të madhe në Kosovë në 20 vjet

Analisti dhe njohësi i rrethanave politike në vend, Azem Vllasi ka komentuar procesin zgjedhor të së dielës duke thënë se fitorja e Vetëvendosjes shënon kthesën më të madhe në Kosovë për këto 20 vjet sa jemi në liri.

Ai në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se qytetari deshi ndryshim.

“Rezultatet e zgjedhjeve shënojnë kthesën më të madhe në Kosovë për këto 20 vjet në liri. Votuesit deshën ndryshime dhe shkëputje nga praktikat e deritashme të qeverisjes.

Votuan me shpresë për shtet funksional, të sundimit të ligjit dhe kundër korrupsionit dhe zhvatjes së shtetit. VV dhe A. Kurti me V. Osmanin u jep qytetarëve një shpresë të re për këtë”, tha Vllasi.

Ai tutje theksoi se LDK-ja e cila në zgjedhjet e kaluara hyri në koalicion me Vetëvendosjes, vetëm ka paguar çmimin për veprën që bëri, duke prishur këtë koalicion.

Sipas tij tashmë është koha që pas rezultatit të djeshëm të gjitha partitë që humbën të nxjerrin mësime.

“LDK e pagoi çmimin për prishjen e koalicionit me VV në mars 2020 dhe e favorizoi VV deri në këtë nivel. Partitë tani në opozitë duhet që të nxjerrin mësime, ta riparojnë veten dhe gjithsesi të shkëputen nga politikat e deritashme nëse synojnë përparim në zgjedhjet e ardhshëm. E sidomos të tërheqin në radhë të veta njerëz të rinj që nuk i ka shkel koha”, tha Vllasi.

Siç ka theksuar Vllasi tani në Kosovë po fillon një faze e re e shtetndërtimit.

Ndryshe Vetëvendosje sipas rezultatit aktual nga KQZ-ja ka fituar 47.88 përqind duke lënë pas vetës LDK-në në vendin e dytë me vetëm 13.08 përqind.