Azemi i LDK-së e kritikon pushtetin për dy kontrata një-burimore: Kështu s’ka ndodhur kurrë

Kryetari i LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi e ka kritikuar pushtetin për një kontratë shtesë në vlerë 46 mijë euro për ndërtimin e Urës së Badovcit.
Azemi, ka thënë se kontratat e negociuara sikurse rrënjët i ka tek korrupsioni.
“Urën e Badovcit e lanë peng duke e zgjatur e stërgjatur ndërtimin e saj derisa u shndërrua në objekt talljeje në gjithë Kosovën. E dje, Ministria e Infrastrukturës i paska dhënë edhe mbi 46.000 euro shtesë për të”, tha Azemi.
Ai ka përmendur edhe një kontratë tjetër me procedurë të negociuar.
“Kjo përmes një kontrate njëburimore. Në të njëjtën formë, me procedurë të negociuar, qenka nënshkruar edhe kontratë për ndërtimin e urës në Rrugën Nacionale N9 deri në Gjakovë, segmenti Rakovinë-Klinë. Vlera e saj mbi 51.000 euro. Pra, për dy ura, dy kontrata të negociuara me vlerë afro 100 mijë euro”.
Azemi ka thënë se e njëjta praktikë e kësaj Qeverie edhe në muajt e fundit të mandatit.
“Për punët e dështuara, kontrata të negociuara. Mekanizmi i njëjtë që rrënjët i ka tek korrupsioni. Projektet që do të duhej të prodhonin mirëqenie për qytetarët po përdoren për përfitim e pasurim për pushtetarët.”
“Liburn Aliu e ministrat e tjerë të kësaj qeverie, nënshkruan rreth 1000 kontrata sekrete që kapin vlerën e mbi 240 milionë eurove. Kjo qeveri për çdo ditë të qeverisjes e ka dhënë nga një kontratë njëburimore. Kështu s’ka ndodhur kurrë. Kësaj qartazi i vjen era korrupsion i pastër. Krejt këto janë taksa të qytetarëve, që s’guxojnë të shkojnë në xhepat e dostave të pushtetarëve. Prandaj, duhet hetim urgjent. Për secilën kontratë veç e veç. Për çdo cent të dhënë në mënyrë të dyshimtë”, tha Azemi.