75 Mall Live Search
09:12 / E Enjte, 12 Mars 2026 / F.R

Azemi: Paga minimale ende nuk respektohet në disa institucione

Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se paga minimale, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës që hyri në fuqi më 1 janar 2026, në shumicën e rasteve po respektohet.

Sipas tij, shumica e punëtorëve të angazhuar në institucionet publike përmes kompanive private kanë konfirmuar se paga e tyre është rritur në 425 euro bruto. Megjithatë, disa kompani ende nuk e kanë kryer pagesën për muajin janar dhe nuk ka informata të plota për zbatimin e vendimit në të gjitha rastet.

Azemi ka përmendur raste konkrete ku vendimi nuk po respektohet, përfshirë Shkollën e Mesme Teknike dhe Gjimnazin në Drenas, ku punëtorët teknikë vazhdojnë të marrin 237 euro neto, pa ndryshim. Po ashtu, disa shkolla në Prishtinë dhe të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në kryeqytet raportojnë pagesa nën pagën minimale, përkatësisht 370 euro, shkruan RTK-ja.

“Kërkojmë nga të gjitha kompanitë që nuk po e respektojnë vendimin për pagën minimale, të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe ta zbatojnë atë sa më shpejt, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Azemi.