Azemi: Paga minimale s’mjafton për jetesë, 400 punëtorë të UP paguhen nën minimum

Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se gjendja e punëtorëve në sektorin privat është alarmante, pasi me pagën mesatare prej 350 deri 370 euro nuk mund të mbulohen as nevojat bazë të një personi, e aq më pak të një familjeje.
Ai për Ekonomia Online theksoi se, sipas normave ndërkombëtare, paga e një punëtori duhet të mbuloj nevojat e katër anëtarëve të familjes, gjë që në Kosovë nuk ndodh.
Azemi paralajmëroi se shumë punëtorë po detyrohen të përballen me kosto të papërballueshme, sidomos me fillimin e vitit shkollor dhe ardhjen e dimrit.
“Kemi dy kategori të punëtorëve të sektorit privat, punëtor që punojnë direkt në menaxhimin e pronarit të kompanisë private që e kemi një gjendje paksa sa ma stabile. Përderisa gjendje më të rëndë e kemi te ato kompani që kryejnë shërbimet për institucionet publike dhe institucionet e kuvendeve komunale. Këtu kemi një gjendje jashtëzakonisht të rëndë sepse nëse e marrim një pagë mesatare tek kompanitë publiko-private që i quajmë ne, paga e tyre është diku rreth 350 deri 370 euro. Me një kosto të tillë, me këto shpenzime tani më fillon sezoni i dimrit, ka filluar edhe sezoni i mësimit, paramendo se çfarë mund të bësh me një pagë prej 370 euro, ku sipas normave ndërkombëtare, një pagë e një punëtori duhet t’i mbuloj kërkesat e katër anëtarëve të familjes, e cila me këtë pagë që po e marrin nuk mund të mbuloj kërkesat e as një personi. Ne e dimë se si po jetojmë, ne po e dimë se si po shkojmë tutje”, tha Azemi për Ekonomia Online.
Ai shtoi se në Kosovë ende ka punëtorë që paguhen nën pagën minimale, ndonëse ajo ka hyrë në fuqi.
“Kemi punëtor edhe sot që në Kosovë paguhet me një pagë prej 250 euro, e normal që kemi institucione publike në Universitetin e Prishtinës dhe në shumë vende të tjera ku paga minimale nuk po respektohet dhe kjo nuk po respektohet pavarësisht që qeveria vitin e kaluar në tetor ka hyrë në fuqi paga minimale prej 350 euro edhe kjo nuk është duke u realizuar”, tha ai.
Azemi ngriti shqetësime edhe për mosveprimin e Inspektoratit të Punës, duke thënë se shpesh gjobat i shërbejnë kompanive për të përfituar në kurriz të punëtorëve.
Ai ka theksuar se edhe në institucione publike, siç është Universiteti i Prishtinës, rreth 400 punëtorë vazhdojnë të paguhen nën pagën minimale të përcaktuar nga ligji.
“Mendoj që ka njëfarë lidhshmërie në mes të pushtetit dhe kompanive private dhe institucioneve. Personalisht kemi bërë kërkesë që Inspektorati i Punës të shkojë të verifikoj gjendjen në Universitetin e Prishtinës kur rreth 400 punëtorë paguhen nën pagën minimale. E jona ka qenë që t’ju qesim në tavolinë inspektorëve të punës dhe ata ende nuk na kanë kthyer përgjigje se cila është arsyeja pse nuk paguhen. Edhe në anën tjetër ka raste kur inspektorët e punës shkojnë e vërtetojnë që nuk është bërë një pagë konform pagës minimale, ajo kompani për shembull, inspektorët mund të merren vesh me pronarët e kompanive. E merr një dënim, ja jep kompanisë prej 500–1000 euro dhe me atë dënim prej 1000 euro pësojnë mbi 400 punëtorë që gati për çdo muaj humbin rreth 100 euro secili punëtor, që do të thotë kompanitë në këto raste ka raste kur përfitojnë me qindra mijëra euro brenda vitit për këto çka nuk realizohen në aspekte që ka edhe për obligim edhe Inspektorati i Punës që t’i kryej këto vizita”, tha ai.
Kreu i sindikatës theksoi se çdo pagë nën 800 euro është e pamjaftueshme për një jetë normale në Kosovë.
“Për momentin unë mendoj, por gjithçka çka mbetet nën 800 euro është diçka që nuk mund t’ia dalë, është shumë normale që shpenzimet janë shkuar tepër, tepër shumë. Ne jemi shteti në rajon me pagën më të vogël minimale dhe jemi me mbikëqyrjen më të vogël të ligjit të punës dhe ligjeve të tjera që kanë të bëjnë, që fatkeqësisht ne jemi në fund të pusit për momentin me gjithçka, me mungesë të marrëveshjes kolektive, mungesë të një page minimale po themi solide, sepse ne me këto paga minimale nuk kemi kërkuar luks por kemi kërkuar që të mbijetojmë”, tha ai.