Azizi/ SHSKUK-ja, është në procedurë për pranim të personelit mjekësor

Bordi Drejtues i SHSKUK-së, gjatë kësaj të mërkure ka mbajtur mbledhjen e rregullt, në të cilën është diskutuar për mbarëvajtjen e punëve në SHSKUK.
Kryesuesi i bordit drejtues të SHSKUK-së, Dren Boshnjaku, i ka dhënë fjalën drejtorit të përgjithshëm, Elvir Azizi, i cili ka raportuar disa nga aktivitetet e kryera gjatë javës dhe punët që janë në proces.
Gjatë raportimit u theksua se SHSKUK-ja, ka në procedurë konkurset për pranim të mjekëve specialistë në Klinikën e Pediatrisë, spitalet e përgjithshme, por edhe për disa drejtorë të klinikave të QKUK-së.
Po ashtu, u raportua se ka filluar Shërbimi i Transportit Neonatal.
Në pika të ndryshme, është diskutuar edhe për kërkesën e Fakultetit të Mjekësisë, përkatësisht, dekanit, Sefedin Muçaj, që t’i vazhdohet mandati drejtorit për shkencë dhe arsim, Ibrahim Rudhani, propozim ky që u mbështet unanimisht nga anëtarët e bordit drejtues. Pas mbledhjes së këtij bordi, anëtarët vizituan Shërbimin Klinik të Mjekësisë Nukleare, ku në takim me drejtorin e këtij shërbimi, Fakir Spahiu dhe stafin, u njohën lidhur me punën që po bëhet në këtë shërbim, me theks të veçantë aparaturën e re, si PET-CT, por edhe Spect-CT, por edhe funksionimin e përgjithshëm të këtij shërbimi.