Babai i Nicola Peltz-it : Vajza ime dhe dhëndri im janë të mrekullueshëm, familja Beckham është një histori krejt tjetër
Babai i Nicola Peltz-it, Nelson Peltz, ka folur shumë pak për konfliktin mes vajzës së tij, dhëndrit dhe pjesës tjetër të familjes Beckham.
Gjatë një interviste në eventin WSJ Invest Live në Florida, ai u pyet për Nicola-n.
Në vend që t’u jepte më shumë material medieve mbi konfliktin, vendosi të përgjigjej me humor:
“A ka dalë familja ime kohët e fundit në medie? Nuk e kam vënë re fare”.
Ai shtoi se kishte vetëm një këshillë për dhëndrin dhe vajzën pas gjithë skandalit dhe ajo ishte heshtja.
“Këshilla ime është të qëndroni sa më larg medieve”, tha ai.
Duke marrë parasysh se konflikti u bë publik pikërisht nga dhëndri i tij në rrjetet sociale, zbatimi i kësaj këshille tashmë duket i pamundur.
“Vajza ime dhe familja Beckham janë një histori krejt tjetër dhe nuk është për t’u trajtuar këtu sot. Por mund t’ju them se vajza ime është e mrekullueshme, dhëndri im Brooklyn është i mrekullueshëm dhe dëshiroj shumë që ata të kenë një martesë të gjatë dhe të lumtur së bashku”.
Konflikti mes çiftit dhe familjes Beckham mori gjithë vëmendjen pak javë më parë, kur Brooklyn vendosi të fliste publikisht për disa nga dramat që përfliteshin prej kohësh.
Ai konfirmoi thashethemet që qarkullonin, madje nuk hezitoi të përmendte të tjera ngjarje, ku fajtorë kryesorë bëri Victoria-n dhe David-in.
Sipas tij, prindërit kurrë nuk e kishin dashur Nicola-n dhe gjithmonë ishin përpjekur të shkatërronin martesën mes tyre. Kjo ishte arsyeja kryesore pse nuk dëshironte të pajtohej me ta.
Që prej atij rrëfimi, shumë pak njerëz jashtë familjes kanë folur mbi ngjarjen, por familja Beckham ende nuk ka reaguar.
E vetmja gjë që mund të themi është se Brooklyn nuk mbështetet nga asnjë prej familjarëve, të paktën këtë kanë treguar daljet e fundit të tyre, ku vëllezërit dhe motra e tij janë shfaqur shumicën e kohës krah prindërve.

