23:31 / E Shtunë, 30 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Babai jep lajmin e madh: Hazard në verë shkon te Real Madridi

Eden Hazard mund të jetë “galaktiku” i radhës që do të veshë fanellën e Realit të Madridit. Lajmi këtë herë është më i besueshëm se kurrë sepse konfirmimin për mundësinë e transferimit të belgut në Spanjë dhe e ka dhënë i ati i tij, Tieri Hazard.

Në një deklaratë të bërë për gazetën “Le Soir”, i ati i lojtarit thotë se Eden ka refuzuar rinovimin e kontratës me skuadrën e Chelsea sepse është duke pritur një telefonatë nga Reali, skuadër të cilën e vlerëson si më të mirën në botë. Edhe lojtari nuk e ka fshehur dëshirën për një transferim në Spanjë, pavarësisht se gjithmonë ka nxituar të saktësojë dëshirën për të realizuar objektivat me “Blutë” e Londrës.

Në të njëjtën gjatësi vale edhe babai i lojtarit, Tieri, i cili bën me dije se për momentin nuk ka asnjë parakontratë apo marrëveshje mes palëve për transferimin e të birit në Spanjë apo kudo tjetër. “Eden ka refuzuar rinovimin e kontratës me skuadrën e Chelsea sepse është duke pritur interesimin apo telefonatën e Realit të Madridit. Ajo është skuadra e duhur për të. Për momentin nuk ka asnjë kontratë apo marrëveshje. Eden është thjesht njëra palë, i cili e thotë hapur përmes meje idenë e tij”, thotë i ati i mesfushorit belg, i cili tani ia pason topin Realit.

ZIDANE-
 Nuk është çudi që gjithçka të ndodhë në merkaton e verës, për arsyen se Zinedin Zidane e vlerëson maksimalisht belgun dhe e konsideron si një nga talentet më të mëdhenj në Europë. Dihet që Reali, kur përcakton një objektiv në merkato, rrallëherë dështon, për më tepër që mes palëve ka një admirim reciprok sepse edhe Hazard ka thënë prej kohësh që dëshiron një ditë të punojë me Zidane.

Ai do të ishte lojtari ideal për të zgjidhur problemet e skuadrës madrilene në repartin e sulmit, pasi do të merrte vendin që ka mbajtur Ronaldo deri tani. Me zhvendosjen e portugezit në majën e sulmit, ky post është vakant dhe Hazard do të ishte i duhuri për t’i dhënë më shumë impulsiv lojës së Realit në krahun e majtë. Pavarësisht bllokadës që bën skuadra e Chelsea, duket se e ardhmja e 26-vjeçarit herët apo vonë do të jetë në Spanjë.