75 Mall Live Search
23:00 / E Martë, 24 Shkurt 2026 / B XH

Badoci përballet me manganin, rikthehet ideja e furnizimit nga Ibër-Lepenci

Teksa rritja sezonale e manganit në liqenin e Badocit vazhdon të ndikojë në cilësinë e ujit të pijshëm, në vëmendje rikthehet projekti i vjetër për furnizim alternativ përmes kanalit të Ibër-Lepencit. Por ekspertët paralajmërojnë se infrastruktura përcjellëse ka pësuar dëmtime dhe kërkon investime për t’u funksionalizuar.

Liqeni i Badocit, burim i rëndësishëm për furnizimin me ujë të pijshëm për Prishtinën, po përballet periodikisht me rritje të përqendrimit të manganit, pikërisht ku marrja e ujit bëhet nga fundi i liqenit.

Ndryshe nga Batllava, Badoci nuk ka sistem marrjeje në disa nivele. Një alternativë e hershme për raste emergjente është furnizimi përmes kanalit të Ibër-Lepencit, një sistem hidroteknik që transporton ujë nga liqeni i Ujmanit drejt disa rajoneve të Kosovës.

Ky projekt ishte menduar si rezervë për periudha thatësie, por nuk është përdorur shpesh. Tentativa e fundit për aktivizim ishte gjatë thatësirës së vitit 2012. Megjithatë, gjatë asaj kohe u konstatuan probleme serioze teknike në infrastrukturë, përfshirë dëmtime dhe korrozion në gypa, çka kërkoi ndërhyrje.

“Paraqitet si nevojë e vet shtetit për të funksionalizuar një pjesë të kanalit, e cila ka qenë në fillim e ndërtuar, por pas vitit 1999 nuk është përdorë asnjëherë, ajo pjesë nga toka bujqësore është shndërruar në tokë ndërtimore, po flasim për pjesën e Çagllavicës dhe këto lagjet tjera Dardha, Qershia etj. Ai kanal faktikisht ekziston si formë, me sa e di është edhe në program qeveritar të rifunksionalizohet pra të rindërtohet në mënyrë që kanali i Ibër Lepencit të furnizojë edhe Badocin në rast nevoje, faktikisht edhe ujësjellësin e Badocit, por edhe kur e ka problemin me mangan. Kjo është me rëndësi për nivelin kombëtar”, tha Faruk Mujka, kryeshef në Ibër Lepenc.

“Herën e fundit kur kemi tentuar të përdorim ka qenë në vitin 2012 në thatësirë dhe është parë që ka pasur dëmtim, në disa vende ai gyp është korrodu, është dashur të intervenohet”, tha Baton Begolli, ekspert për ujërat.

Ekspertët vlerësojnë se funksionalizimi i plotë i kësaj alternative kërkon investime të konsiderueshme dhe përballim të kostove të larta energjetike, pasi uji duhet të pompohet dy herë për të arritur në impiantin e përpunimit në Badoc.

“Një ndër mundësitë është kur kemi problem ose me thatësi ose me mangan, atëherë me sjellë ujin përmes kanalit të Ibër-Lepencit. Por, nuk është zgjidhje e lirë, dy herë duhet të pompohet uji dhe me këto kriza energjetike është zgjidhje e shtrenjtë”, shtoi Begolli.

Përveç kostos, shqetësim mbetet edhe përzierja e dy trupave ujorë me karakteristika të ndryshme.

Ndërkohë, institucionet, në bashkëpunim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, po analizojnë mundësi të tjera, përfshirë ndërtimin e një kulle të re marrjeje me disa nivele, si zgjidhje më afatgjate për menaxhimin e manganit.