Bahamas njohu Kosovën, MPJ e Serbisë e dënon ashpër: Ta rishqyrtojnë vendimin
Presidentja e vendin Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme ka njoftuar se Komonuellthi i Bahamas ka vendosur të njohë pavarësinë e Kosovës, duke u bërë shteti i 121-të që njeh shtetin tonë.
Në lidhje me këtë ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ku ka dënuar vendimin e Bahamas për të njohur pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës.
“Veprime të tilla përfaqësojnë një precedent të rrezikshëm dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në gërryerjen e mëtejshme të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare publike, kryesisht parimit të respektimit të integritetit territorial të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë, transmeton IndeksOnline.
Tutje në njoftim thuhet se Serbia do të vazhdojë të luftojë për të mbrojtur interesat e saj shtetëore.
“Republika e Serbisë nuk do të pranojë përpjekje për të imponuar fakte të kryera ose për të legjitimuar akte të njëanshme që janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Serbia do të vazhdojë të luftojë, me vendosmëri dhe në parim, me të gjitha mjetet diplomatike dhe politike në dispozicion për të mbrojtur interesat e saj shtetërore dhe kombëtare”, njofton Ministria.
Në fund, kjo ministri u ka bërë thirrje autoriteteve të Komonuelthit të Bahamas “që ta rishqyrtojnë vendimin dhe t’i kthehen respektimit të parimeve universale të së drejtës ndërkombëtare, të cilat”, sipas saj, “janë themeli i stabilitetit dhe paqes në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

