75 Mall Live Search
10:12 / E Martë, 21 Prill 2020 / indeksADMonline

Bahtiri: Gjendja aktuale me pandeminë në Mitrovicë, meritë e qytetarëve

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, duke folur lidhur me gjendjen aktuale dhe masat parandaluese kundër pandemisë, tha se në këtë komunë nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar me COVID-19, dhe për këtë janë meritorë qytetarët.

Ai gjatë një interviste për KosovaPress, bëri të ditur se situata po menaxhohet suksesshëm, ndërsa ka falënderuar qytetarët dhe të gjithë akterët relevantë, sidomos policinë dhe mantelbardhët, për të cilët tha se po bëjnë një punë heroike, duke kryer me përpikëri detyrat e tyre.

Sipas tij, falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes qytetarëve dhe institucioneve lokale e qendrore, Mitrovica jugore nuk ka ende asnjë të infektuar me koronavirus.

Ai ka përmendur dhënien e pesë automjeteve në shfrytëzim nga ana e komunës për policinë dhe stafin mjekësor, ndërsa ka përsëritur punën e palodhshme të këtyre të fundit edhe në kuririn e Bërnjakut, që ndodhet midis Kosovës dhe Serbisë.

“I falënderoj të gjithë qytetarët e Mitrovicës të cilët janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme…Duke respektuar njëri tjetrin, institucionet e larta të shëndetësisë dhe udhëzimet e tyre, si dhe përmbushjen e këshillave të atyre që e njohin këtë lëmi, kemi ardhur deri këtu, që sot në Mitrovicë të mos kemi asnjë të prekur nga ky virus vdekjeprurës. Kjo është meritë e qytetarëve të Mitrovicës, që kanë besim në kryetarin e tyre… Unë falënderoj shumë pjesëtarët e policisë së Kosovës dhe udhëheqësit e tyre, të cilët kanë qenë në bashkëpunim të ngushtë me kryetarin Bahtiri, por edhe stafin e mantelbardhëve, të cilët janë duke bërë një punë heroike, të palodhshme dhe me vullnet të plotë, jo vetëm në Mitrovicë, por çdokund. . Ne mbajmë edhe kufirin e Bërnjakut, ku mjekët tanë janë çdo ditë në tre ndërrime në vendin e kufirit Serbi-Kosovë, të cilët janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme… Ne si komunë kemi dhënë pesë vetura në dispozicion të tyre për t’i shfrytëzuar”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka mohuar zërat se nuk janë bërë teste të mjaftueshme për qytetarët, duke thënë se nuk ka asnjë person i cili ka bërë kërkesë dhe nuk është testuar.

Bahtiri sqaroi se vetëm gjatë dy ditëve të fundit janë testuar 13 persona, të cilët kanë rezultuar negativ.

“Ne kemi katër telefona në dispozicion 24 orë për secilin qytetar të cilët ndiejnë nevojë dhe simptoma. Të gjithë ata që kanë bërë kërkesë të tillë, janë testuar dhe nuk është numër i vogël i tyre, dhe fatmirësisht t ë gjithë kanë dalë negativ. Nuk kemi asnjë indikacion se dikush është prekur dhe nuk e dimë. Nuk e di saktë shifrën, por vetëm dje dhe pardje janë bërë 13 teste, të cilat kanë dalë negative”, theksoi Bahtiri.

Ai ka konfirmuar edhe për kontaktet dhe bashkëpunimin mes dy komunave të Mitrovicës, duke apeluar tek të gjithë se situata me pandeminë nuk njeh nacionalitet dhe kufij.

Bahtiri, duke falënderuar bizneset e ndryshme, ka përmendur ndihmat që ju ofrohen qytetarëve të veriut, duke dërguar në vazhdimësi pako me ushqime, miell, por edhe ofrimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët atje.

“Po, kam kontakt me Rakiqin, e kam telefonuar dhe i kam thënë se jam në dispozicion që çdo kërkesë që ka, jam në dispozicion për t’ju ndihmuar. Njerëzve atje ju kemi ndihmuar me të mira materiale. Janë diku rreth 460 pako që janë ndarë në veri, njëkohësisht kemi dy ambulanca…Kërkesa dhe apeli im ka qenë që të luftojmë së bashku, sepse ky virus nuk njeh nacionalitet, kufij, racë…Kemi çuar ndihma për të gjithë qytetarët pa dallim nacionaliteti…Tani komuna e Mitrovicës ka ndarë diku rreth 1 mijë e 600 pako për t’ua dërguar nëpër shtëpi njerëzve që marrin ndihma, përmes kryetarëve të lagjeve dhe fshatrave, dhe kemi porositur edhe 1 mijë pako tjera. Kemi edhe 25 tonë miell të paprekur të cilat i kanë dërguar djemtë e mi, e që duhet me i shpërnda, si dhe falënderoj të gjitha bizneset, por edhe njerëzit tjerë humanë të cilët kanë dhënë ndihma përmes komunës, siç është edhe një pronar I një kompanie të fuqishme në Gjermani që aktualisht janë duke ndarë 500 pako për Mitrovicën”, u shpreh Bahtiri.

Kryetari Bahtiri ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë me zbatimin e të g jitha vendimeve nga niveli lokal dhe ai qendror, sidomos kufizimit të daljeve, pasi kjo ka rëndësi të madhe në ruajtjen e shëndetit të tyre.