Bajqinovci: Me qeverinë e Kurtit kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të mbështetur diasporën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka theksuar disa nga vendimet që i kanë marrë gjatë qeverisjes për diasporën.
Regjistrimin e popullësisë online, mjetet për policën kufitare, bonot e diasporës gjithashtu votimin fizikisht ose edhe me postë, janë disa nga sukseset e qeverisë sipas tij.
“Në qeverisjen e Albin Kurtit kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të mbështetur diasporën tonë të çmuar! Për herë të parë kemi mundësuar regjistrimin online të popullsisë përmes diasporës, duke lehtësuar qasjen dhe pjesëmarrjen e tyre në proceset shtetërore”, ka thënë Bajqinovci në një postim në facebook.
Postimi i plotë:
Në qeverisjen e Albin Kurtit kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të mbështetur diasporën tonë të çmuar!
Për herë të parë kemi mundësuar regjistrimin online të popullsisë përmes diasporës, duke lehtësuar qasjen dhe pjesëmarrjen e tyre në proceset shtetërore.
Kemi ndarë 3 milionë euro për mbulimin e policës kufitare për bashkatdhetarët tanë që vijnë në Kosovë, si dhe gjatë qëndrimit të tyre këtu. Kjo është viti i tretë që e bëjmë këtë, pas vitit 2021 dhe 2022. – 3 milionë euro për zbatimin e Masës 2.2, për të mbështetur bashkatdhetarët që kanë biznese në diasporë, që të kthehen dhe të investojnë në vend.
Në vitin e parë të qeverisjes, kemi lëshuar bonot e diasporës, duke i ofruar mundësi bashkatdhetarëve për të kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.
Me miratimin e ligjit për zgjedhjet, mërgatës ia kemi mundësuar votimin fizikisht në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, ose votimin me postë në adresë të ambasadës/konsullatës.
Fokusi ynë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe është thelluar, ku për herë të parë në Zvicër, Gjermani dhe Austri kemi mbajtur punëtori me mësuesit e gjuhës shqipe për të adresuar sfidat dhe për të institucionalizuar gjuhën shqipe.