Bajqinovci: Kurti është njeriu më proamerikan në Kosovë, sepse s’e gënjen Amerikën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Mefail Bajqinovci, në një shkrim të publikuar në rrjetin social Facebook, duke folur për zhvillimet e fundit në vend në lidhje me raportet me ShBA-të ka thënë se Kosova dhe Hashim Thaçi kanë intëresa të kundërta, derisa ne nuk gabojmë me Amerikën asnjëherë.
Ai ka thënë se Kryeministri Kurti është njeriu më proamerikan në Kosovë, sepse ai nuk luan me Amerikën e as nuk gënjen atë.
Ky është postimi i plotë i deputetit:
Kosova dhe Hashim Thaçi kanë interesa të kundërta.
Kosova të ruaj, të mbrojë e të përparojë substancen e vet si Republikë
demokratike e pandarë, së jashtmi e së brendshmi, ndërsa Hashim Thaçi të
mbrojë, të ruaj lëkurën e tij e rrezikuar nga të bëmat e tij 20 vjeçare, e
poashtu edhe pasurinë përrallore të tij e të familjes së tij.
SHBA nuk e ka hallin e Hashimit, e ka hallin e Kosovës e të rajonit, sikurse ne.
Nuk gabojmë ne me Amerikën, asnjëherë.
Hashimin e njohim e nuk presim nga ai sjellje ndryshe nga çfarë po sillet. Nuk është as me vendin e tij, as me Amerikën. I pa sinqertë është me të dyja. Është ose s’është me këdo, vetëm e vetëm që të shpëtojë çfarë të mundet.
Prandaj, edhe ky spini që po ngrihet për “Albinin antiamerikan”, është sajesë e tij e ulët sikur shumë të tjera që nga viti 2004 e tutje.
Por pse atë po e ndihmojnë partitë tjera, përjashtuar PDK’në prej së cilës nuk pritet sjellje ndryshe?
Cili është morali politik i Haradinajt që është njeriu që e vuri dhe e mbajti taksen duke e shpjeguar madje edhe si mase kundër marrëveshjeve për ndarje të të dy presidentëve, dmth kundër Thaçit?
Sjellja e tanishme e tij, tregon se ai taksen e ka përdorur për interesa të tij dhe asesi për të parandaluar ndarjen.
Po LDK’ja? A nuk është ajo që deklaronte gjithë kohën se, Presidenti nuk mund të përfshihet në rolin e drejtuesit të dialogut sepse atij Kushtetuta i rezervon vetëm rolin e këshillues? Pse duhet këta të provojnë t’i sigurojnë legjitimitet fallco duke i shkuar në takimin taktik dhe krejt të panevojshëm, me dy përfaqësues të pa legjitimuar me votën e popullit?
Leni hipokrizitë dhe lojërat me spin doktorra.
Kryeministri Kurti është njeriu më proamerikan në Kosovë sepse ai nuk luan me Amerikën e as nuk e gënjen atë.
Mos prisni nga ne t’i japim kënaqësinë abuzuesve 20 vjeçarë duke u konfrontuar me SHBA’të.
Por, në asnjë mënyrë nuk do ta lejojmë një njeri të komprimituar në çdo drejtim, si Hashim Thaçi, që të sfidojë rendin kushtetues të vendit.
Kosova ka Qeveri me legjitimitet e legalitet mëse të qartë. SHBA, e kanë njohur Kosovën shtet dhe ata e kanë bërë të qartë se nga Kosova presin të flasin me një zë unik, të institucionalizuar dhe të bazuar në legjitimitet qytetarë.
Burimi i problemeve është diku tjetër.