75 Mall Live Search
12:28 / E Mërkurë, 04 Maj 2022 / OSH

Bajqinovci pyet Mehajn për avanset milionëshe: Janë ndërprerë të gjitha!

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot ka raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, shkruan IndeksOnline.

Pas raportimit, anëtarët e komisionit iu drejtuan me pyetje ministrit.

Anëtari i Komisionit, Mefail Bajqinovci, ka pyetur ministrin Mehaj se a i janë dhënë miliona euro kompanive të armëve për të blerë armë me para të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“A jeni në dijeni që për shembull përpara ia kanë dhënë kompanisë paret për me i ble armë FSK? Paratë nga FSK-ja i janë dhënë kompanisë pastaj ia kanë dhënë armët pasi s’kanë pasur të vetat”, tha ai.

Ministri Mehaj tha se i ka ndërprerë të gjitha avanset.

“Unë i kam ndërpre të gjitha avanset pasi nuk jepi avanse për një paisje që me ta sjell, ti nuk jep pare për me ble me pare tuat për me ta shit ma shtrenjt, për këtë nuk janë të nevojshme avanset”, tha ai.

Ndërsa, sekretari i ministrisë, Salvador Elmazi, dha detaje më shumë për avanset.

“E konfirmoj se ka pas avanse, edhe milionshe mirëpo nuk mund të them që kanë qenë antiligjore pasi kanë qenë të bazuara në ligjin e buxhetit dhe në marrëdhëniet kontraktuale që ka bërë Ministria me operatorin”, tha ai./IndeksOnline/