75 Mall Live Search
23:29 / E Martë, 15 Mars 2022 / SH F

Bajqinovci thotë se aksioni i djeshëm e ndihmon Policinë të pastrohet nga njerëzit e korruptuar

Arrestimi i 50 zyrtarëve shtetëror, prej të cilëve 48 ishin policë dhe dy doganierë ka qenë temë debati në emisionin “RTK Prime”, ku mysafirë ishin Rashit Qalaj, Hajrullah Tërnava, Mefail Bajqinovci dhe Nuredin Ibishi.

Për deputetin e Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci arrestimet e fundit dëshmojnë se në Policinë e Kosovës ka probleme të shumta.

“Në vazhdimësi ka pasur skandale, herë të mesme e herë të rënda. Ka pasur arrestime deri në 50 persona, siç është edhe rasti i fundit. Pra, në vazhdimësi ka pasur arrestime. Është fakt se policia jonë është pak më e mirë në krahasim me shtetet e rajonit, sepse në shumë vende fqinje posa të dalësh në rrugë policët t’i kërkojnë 10 euro, e kjo te ne nuk ndodhë. Por, a duhet të ketë reforma në polici normalisht se po”, ka thënë Bajqinovci.

Sipas tij ka shumë raste kur policët edhe pse suspendohen për afera korruptive prapë rikthehen në punë për shkak se gjykatat nuk funksionojnë si duhet.

Ai ka thënë se arrestimi i 47 zyrtarëve policor është diçka shqetësuese dhe se për këtë dikush duhet të japë përgjegjësi, por se operacionet e tilla e ndihmojnë policinë të pastrohet nga njerëzit e tillë të korruptuar..

Në anën tjetër, Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, tani deputet i PDK-së ka thënë se Kosova e ka policinë mjaft të mirë, duke pasur parasysh se është krijuar në rrethana specifike pas luftës.

“Dje është zhvilluar një operacion i institucioneve të pavarura që ka filluar të hetohet shumë më herët. Këta zyrtarë kanë qenë në masa të vëzhgimit, në mënyrë që Inspektoriati të ketë dëshmi kur të vjen puna te gjykatat. E veçanta e këtij operacioni ka qenë se policia nuk ka qenë fare e involvuar, por Inspektoriati Policor dhe Prokuroria”, ka thënë Qalaj.

Ai ka insistuar se Policia e Kosovës është më e mira, sepse sipas tij është institucioni që është marrë më së shumti me vetveten.

“Jam i vetëdijshëm se ky rast e godet Policinë e Kosovës sepse nuk është pak të arrestohen 50 vetë, por kjo e ndihmon këtë institucion që të lirohet nga njerëz të tillë të korruptuar“, ka shtuar Qalaj.

E ish-zyrtari policor dhe ish-deputeti i LDK-së, Nuredin Ibishi ka thënë se arrestimet e tilla e dëmtojnë jashtëzakonisht shumë imazhin e policisë, teksa mendon se aferat e tilla ndodhin edhe për shkak të mos përdorimit të rotacionit tek zyrtarët policorë që punojnë në pikat kufitare.

“Mendoj që pas FSK-së, Policia ende e ka besimin më të madh tek qytetarët, por rastet si kjo po ndikojnë dukshëm në rënien e imazhit dhe pastaj është vështirë ta rikuperojmë gjendjen. Moszëvendësimi i strukturës policore në pikat doganore ku dyshohet se mund të ketë korrupsion është shkas për gjërat e tilla. Asnjë rotacion nuk është bërë përkundër dyshimeve të bazuara se aty ka pasur korrupsion. Duhet ndërruar zyrtarët policor në formë rotacioni, në mënyrë që ata të mos jenë gjithmonë në të njëjtin vend pune”, është shprehur Ibishi.

Ndërkohë, ish-drejtori i Akademisë së Policisë së Kosovës dhe njohësi i rrethanave të sigurisë, Hajrullah Tërnava mendon se nuk duhet të vazhdojmë të thurrim lavde për policinë kur kemi raste të tilla korruptive brenda këtij institucioni.

“Shpeshherë po kemi raste si ky i fundit, prandaj ne nuk duhet t’ia bëjme qejfin vetit dhe të themi se e kemi policinë e mirë. Me këto fjalë ne vetëm po e stimulojmë dikë që të veprojë kështu. Duhet të jemi të ashpër si institucione dhe si shtet. Më e keqja është se edhe ata që po suspendohen po kthehen prapë në punë. Ka eprorë që dihen me emër e mbiemër për të cilët është ngritur aktakuza, por që iu ka ndërruar vetëm vendi i punës. Kështu po i bjen se nëse diku po bëhet krimi në mënyrë të organizuar, atëherë po bëhet në institicionet e vendit”, ka theksuar Tërnava.

Ai ka thënë se nëse duam të kemi shtet të fortë, atëherë duhet t’i spastrojmë gjërat, teksa ka kërkuar rikthimin e Akademisë së Policisë së Kosovës, ku shkollimi i policëve do të bëhej me kohëzgjatje prej tre vitesh.

“Nëse duam të mos e folim të vërteten do t’ia shohim sherrin, pasi edhe ashtu jemi vendi më i izoluar në botë“, ka thënë ai.

Sot 50 të arrestuarit e rastit ‘Pika’ nga Inspektorati Policorë i Kosovës, e që në mesin e tyre janë edhe dy zyrtarë të doganës, janë paraqitur para Gjykatës Themelore në seancën dëgjimore të thirrur nga Prokuroria Speciale e Kosovës. 48 zyrtarët policorë të pikave kufitare të Gjakovës, Qafë-Prush e Qafë-Morinë, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit. Ndaj tyre, prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit, meqë, sipas aktakuzës të njëjtit janë përfshirë në vepra të shumta penale