75 Mall Live Search
20:39 / E Premte, 27 Maj 2022 / OSH

Bajqinovci viziton stacionin policor në Gjilan: Kushte të rënda të punës – të rrezikshme për shëndetin

Deputeti i Kosovës, Mefail Bajqinovci, ka bërë të ditur se sot ka vizituar stacionin policor në Kamenicë, shkruan IndeksOnline.

Ai tha se gjatë kësaj vizite zyrtare u informuan për situatën e sigurisë së qytetarëve, problemin e narkotikëve, vjedhjeve, aksidenteve në trafik dhe dhunës në shkolla.

Bajqinovci bëri të ditur se kushtet e punës në stacionIN policor ne Gjilan ishin të rënda, madje edhe të rrezikshme për shëndetin e policëve.

“Ne si komision i Sigurisë dhe Mbrojtjes do t’i bartim të gjitha shqetësimet në institucionet relevante ku do të bejmë rekomandimet tona që policisë në Gjilan t’i mundësohet puna në hapësira dhe objekt solid, dhe mos të harrojmë se ndërtimi i objektit të policisë i filluar 15 vite më parë ende nuk ka përfunduar dhe ky objekt ka mbetur në gjysmë dhe lënda zvarritet nëpër gjykata për shkak të menaxhimit jo të mirë e papërgjegjësisë së theksuar”, shkroi ai.

Postimi i plotë:

Sot, si Komision Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, vizituam Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan, stacionin kryesor të policisë, stacioni policor për menaxhimin kufitar, Njësinë për reagimin e shpejtë (NJRSH) dhe më pas vizituam stacionin policor në Kamenicë.

Në takime u pritëm nga Drejtori i kësaj Drejtorie, Kolonel Agron Rukiqi, komandanti i stacionit kapiten Nehat Daki, komandanti i stacionit policor për menaxhimin kufitar – major Agim Lipovica si dhe zv.komandanti i stacionit policor në Kamenicë Toger Besim Kryeziu.

Drejtoria Rajonale e Gjilanit numëron rreth 600 policë e shërbyes civilë ku përfshihen 7 komuna nën menaxhimin e kësaj drejtorie.

Gjatë kësaj vizite zyrtare u informuam për situatën e sigurisë së qytetarëve, problemin e narkotikëve, vjedhjeve, aksidenteve në trafik dhe dhunës në shkolla dhe sipas të dhënave të prezantuara nga Drejtori Rajonal statistikat ishin solide.

Gjatë vizitës së objekteve, hasëm në kushte të rënda të hapësirave ku punohej në stacionin policor, policinë kufitare, dhe njësitë e ndryshme, ku puna zhvillohet në kushte të mjerueshme plot 21 vjet, ku shërbimet jepen në objekte të stërvjetruara dhe kontejnerë me afat të skaduar.

Nga biseda me stafin policor dhe  menaxhmentin u informuam se ka mungesë të hapësirave dhe objektit, kurse largimi nga këto hapësira me kontejnerë të skaduar dhe me rrezik për shëndetin e pjesëtarëve të policisë është i domosdoshëm.

Ne si komision i Sigurisë dhe Mbrojtjes do t’i bartim të gjitha shqetësimet në institucionet relevante ku do të bejmë rekomandimet tona që policisë në Gjilan t’i mundësohet puna në hapësira dhe objekt solid, dhe mos të harrojmë se ndërtimi i objektit të policisë i filluar 15 vite më parë ende nuk ka përfunduar dhe ky objekt ka mbetur në gjysmë dhe lënda zvarritet nëpër gjykata për shkak të menaxhimit jo të mirë e papërgjegjësisë së theksuar.

Pas takimeve në Gjilan, vizituam edhe stacionin policor në Kamenicë. Aty u pritëm nga zv.komandanti Basri Kryeziu dhe stafi i tij.

Kushtet e punës ishin jashtëzakonisht të mira, por edhe numri i policëve në këtë stacion ishte solid dhe gjendja në këtë komunë është relativisht e qetë e pa ndonjë shqetësim.

Në takim ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Kamenicës Z.Kadri Rrahimaj, i cili bashkë me zv.komandantin e policisë tregoi për gjendjen në shkolla dhe situatën mjaft të mirë të sigurisë në përgjithësi, bashkëpunimin mes nivelit komunal dhe policisë në Kamenicë.