75 Mall Live Search
12:43 / E Hënë, 06 Mars 2023 / mp

Bajra për marrëveshjen në Bruksel: Të merren parasysh edhe dëmet ekonomike që ju shkaktuan Kosovës

Ujkan Bajra, njohës i çështjeve ekonomike ka komentuar marrëveshjen Kosovë-Serbi, duke thënë se nuk duhet të hiqet dorë nga e kaluara. Por duhet të kemi parasysh që kufizimin e kamufluar për kompensimin e dëmeve ekonomike të shkaktuara në Kosovë ka rrezik që mund  t’i kërkohet të heqë dorë nga disa pika.

Ky është postimi i plotë:

“Kur flasim për preambulën e marrëveshjes që u arrit më 27.02.2023 në Bruksel, duhet të kemi parasysh kufizimin e kamufluar për kompensimin e dëmeve ekonomike të shkaktuara Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Pra, duke hequr dorë [kapërcyer] nga e kaluara, siç nënkuptohet në paragrafin 2 të preambulës [Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,….], Kosovës [po hamendësoj] mund t’i kërkohet të heqë dorë nga:

– kompensimi i fondit pensional të punëtorëve shqiptarë;

– kompensimi i pagave të papagaura nga dëbimi me dhunë i punëtorëve shqiptarë nga vëndet e punës;

– kompensimi i pronës private [djegia e shtëpive, vjedhja, shkatërrimi i pasurisë materiale dhe jomateriale];

– kompensimi për dëmin e pronës publike [shkatërrimi i pronës publike nga uzurpimet apo bartjet e pa ligjshme tek subjektet fetare];

– kompensimi i Kosovës dhe/apo marrja në pronësi e pjesës së pasurisë të ish-Jugosllavisë;

– kthimi i artefakteve historike, të gjitha dokumenteve zyrtare, pronësore;

– me një fjalë kompensimin total për dëmet materiale/ekonomike që i janë shkaktuar Kosovës në periudhën 1990-1999, që vlerësohet të jetë mbi 20 miliardë euro.

Serbia nuk mund t’i shmanget kësaj, edhe pse në preambulën e marrëveshjes ky kompensim del të jetë vetëm vullnet dhe jo obligim i Serbisë ndaj Kosovës, përderisa kërkohet kapërcimi i trashëgimisë të së kaluarës, apo gjithë asaj që i është shkaktuar Kosovës në vitet 1989-1999″, ka shkruar Bajra.